TIRANË -“Bashkia e Tiranës i kërkon publikisht qeverisë të ndërmarrë vendimin e duhur i cili është një dhe vetëm një, subvencionim i operatorëve të transportit publik dhe jo rritja e mëtejshme e kostos për qytetarët, të cilët siç jemi të gjithë dëshmitarë po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve dhe kostos së jetesës”, ka thënë një deklaratë për media nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Z.Enno Bozdo .

Ai ka shprehur në shqetësimin e Bashkisë së Tiranës për heshtjen e qeverisë ndaj letrës së dërguar nga Bashkia, kërkesës së shoqatës së Transportit Urban për rritjen e çmimit të biletës. Ai ka kerkuar subvencionim i operatorëve të transportit publik dhe jo rritje të mëtejshme të kostos për qytetarët.

Bozdo tha se kryebashkiaku Lulzim Basha, që prej muajit dhjetor i është drejtuar me një letër ministrit të Transporteve ku vlerëson ndjeshmërinë qytetare ndaj rritjes së çmimit të biletës së transportit urban edhe njeh e vlerëson vështirësitë e operatorëve të transportit publik qytetës.

Për këtë problem , zoti Basha ka propozuar si zgjidhje:
• Subvencionimin operativ të shërbimit nëpërmjet granteve të kushtëzuara ndaj qeverisjes vendore. Në këtë kuadër, Bashkia e Tiranës ka gjithë gatishmërinë për të rishikuar kushtet e kontratës që të mundësojë këtë lloj subvencionimi;
• Subvencionimi social për kategoritë që sipas ligjit përfitojnë transport publik falas;
• Ulja e TVSH për shërbimin e transportit publik;
• Heqja e akcizës së naftës për transportin urban qytetas.
• Ndryshimi i legjislacionit për emetimin dhe prodhimin e biletave të transportit për mundësimin e sistemit të biletave elektronike që shmang abuzivitetin në përdorimin e shërbimit urban qytetës. 
• Ndryshimi i sistemit të llojeve të biletave që është shumë i kufizuar duke mos lënë hapësira për përdorimin e llojeve të ndryshme të biletave shumë përdorimshe, siç mund të jenë 1 ditore, 1 javore, bileta për fundjavën. Këtë experiencë e gjejmë në shumicën e vendeve të BE-së por edhe në rajon. 

“Deri më sot, ende nuk kemi asnjë reagim nga ana e qeverisë e cila vazhdon të fshihet me gjithfarë justifikimesh e pas çdo specialisti të mundshëm.Heshtja nuk mund të mbulojë përgjegjësinë që qeveria ka ndaj qytetarëve”, shprehet Bozdo

Sipas një vendimi të marrë nga Ministria e Transporteve me Shoqatën e Transportit Publik është parashikuar rritja e çmimi aktual të biletave të transportit publik urban nga 30 në 50 lekë. dhe rritja e çmimit të abonesë për të gjitha llojet e saj.
 
 
(o.s/shqiptarja.com)