Lek Pepgjonaj po bëhej gati të nisej me makinën e tij, drejt Kosovës, kur pranë tij është shfaqur patrulla e “Shqiponjës”. Nuk bëhej fjalë për një kontroll rutinë. Policia e Tropojës kishte marrë disa njoftime në rrugë operative për aktivitetin e dyshimtë të 29 vjeçarit. Sinjalizimet rezultuan të vërteta.
Në automjet, në pjesën poshtë prapakolpit të mjetit Volsvagen, gjetën dhe sekuestruan 1.2 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 405 gramë tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 metra fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një sasi parash.
29-vjeçari i prangosur rezulton se ishte i skeduar më parë nga policia kriminale e Pukës, nën dyshimet për kultivim të lëndëve narkotike.
Ndonëse ndërhyrja për kapjen e Pepgjonajt, u finalizua në rrugë me bllokimin e makinës së tij, operacionit policor i ishte vënë emri “Varkëtari”. Një emër që lidhej me profesionin e përditshëm të 29 vjeçarit, banor i Aprripës së Gurit, një fshat i thellë ku mund të shkohet vetëm përmes liqenit të Komanit. Pepgjonaj në fakt, ofronte transportin për banorët e zonës, me varkën e tij, e cila përdorej dhe për aktivitetet e tjera që e çuan atë në pranga.
Pas arrestimit, blutë e Tropojës kanë zgjeruar hetimet edhe përtej kufirit, me qëllim identifikimin e personit që kishte porositur për blerje në fshatin e thellë malor lëndën narkotike, eksplozivin dhe municionet luftarake.
"Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas do të transportonte drejt Kosovës një sasi lëndë narkotike dhe lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Varkëtari”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi L. P., 29 vjeç, banues në Pukë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Dushaj, duke lëvizur me automjetin tip "Volksëagen”, në të cilin kishte fshehur në brendësi të bagazhit lëndën narkotike, eksplozivin dhe municionin luftarak, të cilat dyshohet se i kishte transportuar me varkë nëpërmjet liqenit, nga fshati Apripë, Pukë, deri në Tropojë, ku kishte parkuar automjetin me qëllim shmangien e kontrollit të Policisë",- njofton policia.
Komente









