Shoqata Shqiptare eTransportuesve shprehet kundër vendosjes së pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit. Presidenti i saj, Ilir Mataj, thotë se bëhet fjalë për një taksë shtesë për çdo mjet transporti, në një kohë kur prej vitesh ata paguajnë taksën e mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo do të rëndojë jo vetëm në bilancet e shoqërive të transportit, por dhe në xhepat e qytetarëve.

''Edhe moralisht edhe ligjërisht ata transportues e kanë paguar atë rrugë sepse është thënë nga fillimi në fund se ajo rrugë u ndërtua nga lekët e shqiptarëve. Plus që edhe nga këto termat e tjerë që çdo transportues paguan taksë qarkullimi por edhe taksë mirëmbajtje të rrugës. Kjo është një padrejtësi duke taksuar transportuesit për herë të dytë ose të tretë'', u shpreh Mataj. 

Nga ana tjetër, Mataj sjell në vëmendje koncesionet e shumta të dhëna nga shteti shqiptar në dëm të qytetarëve dhe biznesit. Për koncesionin e Rrugës së Kombit ai thotë se paratë e mirëmbajtjes mund t’i paguhen shumë mirë shtetit dhe jo një kompanie private. Ndërsa thekson se shoqatat nuk është konsultuar nga qeveria për këtë koncesion, Mataj kërkon që së paku transportuesit të bëhen palë në negociatat për vendosjen e tarifave për mjetet e transportit.

''Është një kosto jo e vogël shtesë dhe nga kjo pikëpmaje duhet të shihet masa e pagesës. Nëse jemi në kohë duhet të vlerësuar edhe nga kjo pikëpamje'', shtoi më tej Mataj.

Shfrytëzimi i Rrugës së Kombit ju dha për 30 vjet me koncesion një kompanie turke. Deri tani është përcaktuar vetëm taksa prej 5 euro që do të paguajnë veturat për çdo kalim. Nga shtatori qeveria do të negociojë me kompaninë koncesionare tarifat që do vendosen për kalimin e llojeve të ndryshme të mjeteve të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com