Pas transportit publik që prej javësh kërkon nga qeveria subvencion për shtrenjtimin e naftës pasi në të kundërt do të shtrenjtojnë biletat ose do të reduktojnë flotat e tyre, tashmë alarmit për pezullim i shtohet edhe transporti ndërkombëtar.

Kompanitë e transportit ndërkombëtar kërkojnë nga qeveria që të merren masa për të subvencionuar kostot e rritura prej shtrenjtimit të çmimit të naftës.

Sipas tyre, në kushtet aktuale ata po konkurrohen padrejtësisht nga kompanitë e vendeve të rajonit, duke qenë se nafta në shtetet e tyre është shumë më lirë se në Shqipëri, e për pasojë ata ofrojnë të njëjtin itinerar transporti me çmim shumë më të ulët se ata.

Të pyetur nga Report Tv, kompanitë thonë se fillimisht do të hartojnë një plan me kërkesa drejtuar institucioneve për zgjidhje dhe në rast se nuk do të merren në konsideratë, do të pezullojnë punën e transportit me kamionë, duke përfshirë si mundësi edhe bllokimin e Portit të Durrësit dhe të pikave të tjera kufitare.

Ndërsa kompanitë e transportit publik urban dhe ndërqytetës mund të pakësojnë numrin e autobusëve nga e marta, nëse institucionet nuk japin një zgjidhje për të subvencionuar çmimin e naftës.