Tre personalitete të zonës së Mallakastrës, që kanë lënë gjurmë në shkencë, kulturë, gazetari dhe art u rikthyen në vëmendje në një ceremoni të veçantë në Akademinë e Shkencave.

Në prani të ish-Presidentëve Rexhep Meidani e Bamir Topi, kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, akademikëve, profesorëve, ambasadorëve dhe personaliteteve të tjera, Shoqata Atdhetare Kulturore Mallakastra i akordoi Vasfi Samimi Visokës titullin “Nderi i Mallakastrës”.

Themelues i shërbimit veterinar dhe zooteknik në Shqipëri, intelektual me formim perëndimor, por edhe futbollisti i parë shqiptar që luajti jashtë vendit, me Fenerbahçen e Turqisë.

“Vasfiu ishte njeri i veterinarisë, i zooteknikës, por edhe i letrave. Një njeri erudit, me një bibliotekë të jashtëzakonshme dhe me një kontribut të madh në shkencë e kulturë.”, tha avokati Idajet Beqiri.

Titulli iu dorëzua të birit, Genci Samimi Visoka, nga ish-Presidenti Bamir Topi.

“Profesor Samimi në kujtimet e mia ka qenë njeriu më i cituar, më i përmendur nga të gjithë brezat e profesorëve të mi. Ishte jo thjesht profesionist i linjës veterinare, por një njeri erudit.”, tha ish-presidenti Bamir Topi.

Në këtë ceremoni u rikthye në kujtesën shqiptare edhe një tjetër emër i rëndësishëm, Nelo Drizari. I formuar dhe i afirmuar në Shtetet e Bashkuara, ai u bë një prej figurave të rëndësishme të gazetarisë dhe gjuhës shqipe atje, duke marrë në vitin 1943 përgjegjësinë për organizimin e seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”.

“Është një emër i shquar i gazetarisë shqiptare, por që për fat të keq nga gazetarët shqiptarë njihet shumë pak. Ky vlerësim duhet t’i shërbejë njohjes së tij në mjediset publicistike dhe të kulturës shqiptare.”, tha shkrimtari Namik Dokle.

Një tjetër dekoratë iu dha Bashkim Alushit, topografit, hartografit dhe artistit pamor, i cili shërbeu për vite me radhë në strukturat ushtarake dhe mbajti edhe gradën major.