Ish-Presidenti Bamir Topi deklaroi se përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas transferimit në paraburgimin e Fierit të këtij të fundit, tashmë është e dukshme.

Komentet Topi i bëri në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se beteja mes tyre, nuk ka pse të ndikojë në njerëz të tjerë.

“Unë di një gjë, që përplasja Rama-Veliaj është e dukshme. Është një përplasje që nuk ka më kamuflim. Sepse zoti Veliaj u shpreh. Tani duhet të shprehet tjetri. Tjetri u shpreh në mënyrën e tij përmes një metafore pa sens e kuptim. Por është një betejë midis të dyve, jashtë çdokujt. Mund të jenë merakosur për këtë punë gjithë kampi socialist, por të tjerët s’kanë pse të kenë ndonjë merak”, tha mes të tjerash Topi.

Marrë shkas nga pretendimet e kryebashkiakut, Topi theksoi se Veliaj duhet të ketë një trajtim dinjitoz në qelitë e paraburgimit.

Ai shtoi gjithashtu se Veliaj është ende kryebashkiak në detyrë i Tiranës dhe prezumohet i pafajshëm. Prandaj sipas Topit, kryeministri Rama s’duhet të ndikojë në liritë themelore të Veliajt në qeli.

“Meraku është njerëzor. Një njeri që është në izolim për shkak të një procesi, duhet të trajtohet në mënyrë shumë dinjitoze. E dyta është kryetar bashkie në detyrë. E treta, nuk ka ndodhur procesi që ta ndajë nëse është i fajshëm apo jo dhe prezumohet i pafajshëm. Prandaj në këto konture do shumë kujdes. Ka shumë situata jeta që i takon më shumë mesjetës, historia që e sheh kundërshtarin të ulur në gjunjë dhe i jep edhe një shkelm. Njeriu për njeriun është ujk. Dy partitë e mëdha e kanë më shumë se kushdo tjetër këtë të përçarjes e përplasjes”, vijoi më tej Topi.

Më tej Bamir Topi tha se kryeministri Rama, nëse ka pretendime se Veliaj ka mbështetur e financuar protestat kundër Qeverisë, duhet t’i faktojë ato.

Topi tha se Rama e di fare mirë sesa akses ka Veliaj në qeli, pasi sipas tij, është vetë kryeministri që ja ka dhënë atë akses.

“Edi Rama duhet ta provojë që Veliaj ka mbështetur protestat e Flamingove. Ai e di fare mirë se çfarë aksesi ka Veliaj në burg. Sepse aksesi shkon sipas asaj që di ky tjetri. Nëse ti i ke dhënë kaq akses sa ai të jetë ideator dhe organizator, atëherë problemi është sërish te ty. Në rast se ke fakte, duhet t’i thuash faktet. Dua të ndaj 2 gjëra, një është proces juridik, ku Veliaj është atje ku është, tjetri është një proces politik. Kush më shumë se Rama e di nëse Veliaj ka qenë ose jo”, nënvizoi Topi.

Në përfundim Topi tha se Ramën e ka bezdisur fakti që Veliaj ishte perceptuar në publik si lider pasardhës i Partisë Socialiste dhe kjo sipas tij ka çuar në ‘hakmarrje’ nga ana e kryeministrit.

Sipas Topit, me situatën ku ndodhet kryebashkiaku Erion Veliaj, PS do të jetë më e dobët në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Dhe kjo mënyrë sjellje tregon që kjo lloj historie e ka ngacmuar shumë. Sepse unë nuk shoh që të ketë një figurë tjetër të projektuar për t’u komentuar si i tillë. PS dobësohet para zgjedhjeve lokale, me situatën e kryebashkiakut. Ky është moment i artë për opozitën për të treguar potenciale. Kam parasysh një koalicion ekstrem, që të mos ketë asnjë jashtë tij”, përfundoi Topi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Protestat/ Bamir Topi: Presidentit Bajram Begaj i kanë hequr bisturinë! Duhet të kishte bërë një apel publik dhe të ishte takuar me kryeministrin Rama

1794000287_srtuftioa.JPG

Ish-Presidenti Bamir Topi është shprehur se Presidenti aktual, Bajram Begaj, duket të kishte zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama dhe të bënte një apel publik, në kushtet kur në Tiranë po zhvillohen protesta prej disa muajsh.

Komentet Topi i bëri në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se me marrëveshjen e vitit 2008 mes PD e PS, Presidentit të Republikës i kanë hequr bisturinë.

“Problemi është këtu, përderisa e kemi Presidentin me profesion mjek, raportet personale janë mëse normale, por i kanë hequr instrumentin. Futet në sallë operatore dhe s’ka bisturi, i kanë hequr bisturinë. Por nuk është se ja hoqën gjatë rrugës, por ai ka pranuar të jetë President në këto kushte. Prandaj sot s’ka fuqi për të lëvizur gurët, por unë e kam thënë dhe e rithem që në situata të tilla Presidenti duhet që publikisht të realizojë një takim me kryeministrin. Sepse ka nevojë që 2 institucione të komunikojnë. Dhe një funksion që nuk ja heq askush, është funksioni moral. Një apel duhet ta kishte bërë”, tha mes të tjerash Topi.