Një përqafim i pazakontë mes Xi Jinping dhe Donald Trump, nga njëra anë, dhe vlerësimet e presidentit kinez për Vladimir Putinin, nga ana tjetër. Xi i cilësoi marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë “të forta si shkëmbi përballë erës dhe shiut”.
Dy takime dypalëshe që i paraprinë samitit trepalësh në Shenzhen, të cilin shumë e kanë krahasuar me një “Jaltë 2”, duke iu referuar takimit të vitit 1945 mes Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Josif Stalin, që çoi në ndarjen e botës në zona influence. Megjithatë kushtet sot janë të ndryshme dhe tre liderët kanë interesa strategjike që bien ndesh me njëri-tjetrin. Por çfarë kërkon secili prej tyre nga ky takim?
Sipas analizës së Corriere della Sera, Trump, i dobësuar pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, shpreson të arrijë suksese në politikën e jashtme. Ai synon të marrë lëshime nga Putin që do t'i hapnin rrugë përfundimit të luftës në Ukrainë, por kërkon edhe rezultate konkrete për armët bërthamore, krizën në Lindjen e Mesme dhe tregtinë.
Nga ana tjetër, Xi Jinping synon ta shfrytëzojë takimin për të forcuar imazhin e tij si një udhëheqës me rol në qeverisjen e re botërore, pa marrë përsipër angazhime detyruese. Presidenti kinez nuk është i interesuar për një marrëveshje që do të ngrinte në nivelet aktuale arsenalet bërthamore, pasi Kina ka arsenalin më të vogël nga të tre vendet. Ai kërkon gjithashtu përfundimin e luftës në Iran, e cila po ngadalëson furnizimet me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërsa Putin e sheh takimin si një mundësi për ta paraqitur Rusinë si superfuqi në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën. Presidenti rus shpreson të sigurojë lëshime që do t'i mundësonin përfundimin e luftës në Ukrainë në kushte të favorshme për Moskën, pa ndërhyrjen e europianëve dhe pa praninë e Kievit në bisedime.
Lajmi kryesor:
Trump dhe Putin 40 min takim 'kokë më kokë' në Kinë, presidenti amerikan: Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, është miku im! Nis takimi me Xi Jinping, më pas samiti trepalësh për Ukrainën, Iranin dhe armët bërthamore




