Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar për tre persona, mes tyre dy zyrtarë policie.
Sipas vendimit, Shuip Cami ish oficer i Policisë Gjyqësore u shpall fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Ai u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite burgim. Gjykata vendosi gjithashtu ndaj tij heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Ndërkohë, Flamur Kurti u deklarua fajtor për korrupsion aktiv dhe u dënua me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj burgim pas uljes me 1/3. Megjithatë, gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur Kurtin në provë për një periudhë 16-mujore, gjatë së cilës ai duhet të qëndrojë në kontakt me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në të njëjtën çështje, Fluturim Bajrami u shpall i pafajshëm, pasi sipas gjykatës “fakti nuk përbën vepër penale”, në lidhje me akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave me funksione publik.
Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e masave të sigurimit për të pandehurit, kthimin e disa provave materiale pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe ngarkimin e shpenzimeve të hetimit dhe atyre gjyqësore ndaj Shuip Camit dhe Flamur Kurtit.
Hetimet zbuluan se pas një ngjarjeje të ndodhur në janar 2020, ku Adrian Shahi goditi disa herë me thikë bashkëfshatarin e tij Bukurosh Zagradi.
Sipas SPAK, Shuip Cami dyshohet se ka marrë një shumë prej 3,000 euro nga i pandehuri Flamur Kurti, në këmbim të favorizimit të të dyshuarit Adrian Shahi në procedimin penal. Nga ana tjetër, Fluturim Bajrami dyshohet se ka dhënë 2,000 euro për të ndikuar në pajtimin mes palëve dhe zbutjen e pasojave për autorin e ngjarjes.
Oficeri i policisë gjyqësore, Aldo Puca, akuzohet se ka ndërprerë përgjimet e komunikimeve të dyshuara korruptive, nuk i ka raportuar menjëherë në Prokurori.
Njoftimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 178, të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Shuip Cami, Flamur Kurti dhe Fluturim Bajrami”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Flora Hajredinaj dhe Erjon Bani, me vendimin nr. 78, datë 27.11.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shuip Cami, për kryerjen e veprës penale të "Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë" parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 2(dy) vite burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.
3. Në aplikim të neneve 30/1, 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Shuip Cami, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Flamur Kurti për kryerjen e veprës penale "Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë". parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal, duke e denuar me 1 (një) vit burgim.
5. Në aplikim 406 te K.Pr.Penale i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri Flamur Kurti përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
6. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Flamur Kurti, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Tiranë. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajësh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
7. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a). T'i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b).Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit.
8. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit "Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore" caktuar me vendimin Nr.156 datë 27.12.2024. të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
9. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fluturim Bajrami për kryerjen e veprës penale të "Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal (para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. TIRA43/2021), pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, "fakti nuk përbën vepër penale".
10. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit "Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore" caktuar me vendimin Nr.3 datë 15.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
11. Në bazë të nenit 224 të K.Pr. Penale, Një DVD me materialet e përgjimit në funksion të procedimit penal nr.178/2022, CD përkatëse; CD-të, e dërguara nga Kompanitë Celulare", mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.
12. Bazuar në nenin 190 të K.Pr. Penale, provat materiale:
Aparat celular i markës "Samsung" A02s, në gjendje të rregullt, pa bllokim ekrani, me IMEI 1 **** dhe IMEI 2 ****, me ngjyrë të zezë, me kartë sim të kompanisë celulare Vodafone me numër ****, i përdorur nga shtetasi Shuip Cami ti kthehet ketij te pandehuri konform nenit 190/1 të K.Pr.Penale, pas vendimit të marrë formë të prerë.
Aparat celular i markës "Samsung" A05, në gjendje të rregullt, me IMEI 1 **** dhe IMEI 2 ****, me ngjyrë të zezë, me kartë sim të kompanisë celulare Vodafone me numër ****, i përdorur nga shtetasi Shuip Cami ti kthehet këtij te pandehuri konform nenit 190/1 të K.Pr.Penale, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Aparat celular i markës IPhone Xs, me numër IMEI 1 **** dhe IMΕΙ 2****, brenda të cilit ndodhet një numër telefoni e kompanisë Italiane ****, me ngjyrë të zezë, me kod hapje "****", i përdorur nga shtetasi Fluturim Bajrami ti kthehet ketij të pandehuri konform nenit 190/1 të K.Pr.Penale, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Aparat celular i markës "Alcatel", me ngjyrë të zezë, me tastierë me butona, me IMEI të stampuar brenda telefonit nr. ****, dhe aparati celular i markës "Samsung" S23 Ultra, me ngjyrë të zezë, në përdorim nga shtetasi Aldo Puca të qëndrojne në dosje derisa të përfundoje gjykimi në ngarkim te tij, gjykim ky i ndarë.
13. Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak i ngarkohen të pandehurve Shuip Cami, Aldo Puca dhe Flamur Kurti në mënyrë solidare, dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurve Shuip Cami dhe Flamur Kurti në mënyrë solidare.
14. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Komente








