PRISHTINË - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar rreth vizitës së tij në Bruksel dhe takimet me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Ai tha se Kosova ka plotësuar kriteret për aplikim për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Thaçi shpreson që aplikimi të ndodhë në tre muajt e ardhshëm.
Sipas KosovaPress, në takim me Zëvendës Presidenten e Komisionit Europian, Frederica Mogherini, njëherësh edhe shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian u bisedua për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai tha se kanë biseduar edhe për vazhdimin e dialogut në nivel të kryeministrave me qëllim zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Ndërsa çështje diskutimi, Thaçi tha se ishte edhe nxjerrja e legjislacionit për themelimin e Gjykatës Speciale dhe Ligjin për ndalimin dhe bashkimin në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, për qytetarët e Kosovës.
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të radhës ku ka miratuar dokumente dhe politika nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë së Kosovës./ATSH/