Kur, para zgjedhjeve, e pyetën Friedrich Merz-in se cila ishte cilësia e tij më e madhe, ai u përgjigj: guximi. Dhe pikërisht një provë guximi, në këtë javë që do të ripërcaktojë ekuilibrat europianë, për mirë apo për keq, që ose do t’i japë një përgjigje Trump-it ose do të certifikojë parëndësinë e Europës në “Lojën e Madhe”, kancelari po e jep tani. Për të huazuar një term nga pokeri, edhe pse pokeri është një lojë që Merz nuk e praktikon, ai ka shkuar all in. Ka vënë gjithçka në lojë mbi faktin se tre marrëveshje do të realizohen: negociatat drejt paqes, përdorimi i aseteve ruse dhe marrëveshja Mercosur, e cila duhet të krijojë një treg të përbashkët me Amerikën Latine me 700 milionë banorë (me shumë të fala për proteksionizmin e Trump-it).
Do të ishte një shenjtërim: një lider gjerman më në fund i aftë të ndikojë realisht, një rol që ka mbetur vakant vitet e fundit. Merz është filo-amerikan nga kultura, nga vokacioni dhe nga përvoja e punës. Ka qenë në Shtetet e Bashkuara njëqind herë. Por, duke konstatuar se Amerika që ai e ka dashur kaq shumë nuk ekziston më, prej kohësh ka nxjerrë përfundimet e veta. Javën e kaluar në Bavari tha: "pax americana ka marrë fund".
Ambicia e tij e vërtetë, megjithatë, misioni politik që i ka vënë vetes, qëndron në këtë rrëfim të bërë në avion për korrespondentin e New York Times: “Mbetem i bindur se do të arrijmë t’i bindim në mënyrë të qëndrueshme Shtetet e Bashkuara dhe t’i kemi në anën tonë për t’i dhënë fund kësaj lufte së bashku me ne në Ukrainë”.
Merz ka një obsesion politikën e jashtme, ku mbështetet nga dy këshilltarët e tij më të besuar: Günter Sautter, truri i tij politik, dhe Jacob Schrot, 35-vjeçari që kishte fituar reality-show-n “Posso fare il cancelliere”.
Ai ndan me Giorgia Melonin (dhe me finlandezin Stubb) faktin se është i vetmi lider europian i aftë t’i flasë butë Trump-it. Por, nëse u përkul menjëherë ndaj SHBA-ve për tarifat doganore, presionet e industrive ishin shumë të forta, duke nisur nga ajo e automobilëve, për sigurinë europiane ai ka marrë një qëndrim më të ashpër. Duke thënë disa herë “jo” dhe duke refuzuar rezultatet e Anchorage-it, paktin Trump-Putin.
Ishte ai i pari që e telefonoi Trump-in kur doli famëkeqi plan me 28 pika. Nëse sot SHBA-të ofrojnë garanci formale sigurie për Ukrainën, kjo është kryesisht meritë e tij.
Po ashtu, ishte ai që, me një letër drejtuar Financial Times në shtator, hapi çështjen e aseteve ruse. U bind se nuk kishte rrugë tjetër për të shmangur falimentimin e Ukrainës dhe për të financuar ushtrinë e saj. Vuri në tryezë garanci shtesë gjermane. Nuk ka dashur kurrë të flasë për eurobondet. Merz përqafon rezistencën gjermane, ka një habitus mendor rigoroz, trashëgiminë e Wolfgang Schäuble-s. Siç thonë kritikët, hipoteza e mbulimit përmes eurobondeve do të kishte qenë më pak e kushtueshme. Por Merz mund të thotë se nuk kishte kohë.
Çështja e tretë është shumë e ndjeshme për gjermanët: Mercosur-i, hapja më në fund e disa tregjeve për eksportin. Pas 26 vitesh negociata, në momentin më të mirë erdhi “jo”-ja franceze: marrëveshja tani varet nga Italia.
A do të arrijë Merz ta marrë me vete Giorgia Melonin, “Melonin që mbërriti në Berlin e mbushur me zemërim”, siç titullonte dje Bild, gazetë popullore por edhe barometër politik, duke lënë të duket për herë të parë njëfarë ftohtësie gjermane ndaj lideres italiane? Kancelari ka dërguar në Romë ministrin e tij të besuar të Jashtëm, Wadephul, i cili thotë se është “i bindur” se do ta ketë Italinë në bord. Katër ditë. Ka aq kohë për të kuptuar nëse Merz, i mbërthyer nga problemet në shtëpi, por edhe avokat me retorikë të thatë, broker financiar që ëndërronte të merrej si kancelar me çështje strategjike, ka hyrë, të paktën në Europë, nëse jo në pamje, të paktën në funksionet që dikur i përkisnin Angela Merkelit./Corriere Della Sera
Komente









