/ATSH-B.Jashari/.-Tre partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, me gjithësej 33 deputetë nga zgjedhjet 2014, përmes deklaratave të veçanta kanë bërë thirrje për protestë sot në orën 12:00 në Prishtinë, në vazhdimësi të protestës së të shtunës që u zhvillua me thirrjet "Jabllanoviç jashtë!" dhe "Trepça është e jona!", sipas organizatorëve më e madhja në 16 vitet e pas luftës me rreth 30.000 pjesëmarrës, sipas policisë 7.000.

Por, bashkëorganizatorja me Vetëvendosjen e protestës së të shtunës, shoqata "Thirrjet e Nënave" e familjeve të viktimave e të zhdukurve të luftës, ka deklaruar se vlerëson përkrahjen e subjektit politik, por se protestat do i vazhdojë e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që sot "në orën 12:00, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë të vazhdohet protesta për shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviçit nga qeveria e Kosovës dhe për Ligjin për shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike të veçantë".

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se "mbështet dhe fton qytetarët e vendit që t'i bashkohen protestës gjithëpopullore në Prishtinë".
Po ashtu, Nisma për Kosovën "fton të gjithë qytetarët, anëtarët dhe simpatizantët e saj që të përkahin dhe të marrin pjesë në protestë".

Protesta e të shtunës ishte thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shoqata "Thirrjet e Nënave" e familjeve të viktimave e të zhdukurve të luftës, "si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç, i cili protestueset shqiptare në Gjakovë i ka quajtur 'egërsira'" dhe pas zhvillimeve rreth Trepçës kur "qeveria që vetë e sponsorizoi Ligjin dhe thirri seancën e jashtëzakonshme, e tërhoqi të njëjtin ligj për ta rikthyer në Kuvend me ndryshime thelbësore".

Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë dhe shkatërronin ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës me paralajmërimet e organizatorëve për vazhdim javën e ardhshme, të martën, nëse më së largu të hënën e djeshme nuk plotësohen kërkesat për shkarkimin e minsitrit serb Jabllanoviç dhe për Trepçën ndërmarrje publike të Kosovës.