Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka qenë e pranishme sërish sot në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ku është diskutuar lidhur me projektligjin për krijimin e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore.
Teksa ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, të cilët kundërshtojnë këtë projektligj, Kumbaro citoi përgjigjen nga Komisioni Europian, i cili ka dhënë dakordësinë për këtë draftligj.
“Unë konfirmova edhe dje, do ta përsëris edhe sot. Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që ne kalojmë sot dhe që kanë lidhje qoftë me një kapitull, qoftë me një kapitull tjetër, ne kemi detyrimin t’i dërgojmë përpara në Komisionin Europian për miratim. Dhe për ligjin në fjalë kemi marrë nga Komisioni Europian përgjigjen, të cilën po e përkthej drejtpërdrejtë: ‘Lidhur me projektligjin me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, nuk kemi asnjë pyetje’, pasi kemi shkëmbyer të gjitha komentet e nevojshme. Madje ka një filtër, që është Kryenegocatorja, Ministrja e Shtetit, e cila nuk lejon që të kalojë në Qeveri, dhe aq me pak të vijë ne Kuvend, nëse nuk kemi marrë miratimin nga Komisioni Europian. Edhe ky projektligj ka kaluar të njëjtin filtër, e madje kishim detyrimin ta kalonim sa më parë”, u shpreh Kumbaro.
Më herët, ministrja Kumbaro u shpreh se miratimi i këtij ligji përmbyll detyrimet për Kapitullin 26, dedikuar arsimit, që do të thotë se do të jetë kapitulli i parë që do të përmbyllet në raport me negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin europian.
Komente











