Baze: Tre rreziqe aktuale për lirinë e shtypit, pa llogaritur ligjin 'antishpifje'

Baze: Tre rreziqe aktuale për lirinë e shtypit, pa llogaritur ligjin 'antishpifje'

Foto ilustruese

E ashtuquajtura paketa “antishpifje”, e cila po paraqitet në formën e një tigri kundër lirisë së medies, në fakt përfundoi si një mace. Ndryshimet e bëra dhe pas minutës së fundit, të cilat Taulant Balla vetëm sa i përkthente nga anglishtja, duket se e futën ligjin në një shtrat burokratik, duke asgjesuar çdo pëprpjekje për t’u keqpërdorur politikisht.

Por dhe nëse ligji do të kishte mebtur “tigër”, siç u paraqit në fillim të tij, ai nuk do të ishte kurrë i tillë në zbatim, dhe në efektin mbi lirinë e shtypit.

Liria e shtypit në një vend si i yni, aktualisht ka tre armiq të mëdhenj.

Armiku i parë i madh është burimi financiar i shtypit, i cili vjen nga koorporatat e mëdha që diktojnë jetën ekonomike dhe politike të vendi, ose siç ua kemi ngjitur ne emrin, “oligarkë”.

Në Shqipëri je i lirë ta bësh copë Edi Ramën, je i lirë të tallesh me Lulzim Bashën, je i lirë të bësh gallatë me Ilir Metën, por nuk e bën dot me “oligarkët”.

Ajo është një listë e ndaluar “armiqsh” të shtypit shqiptar, dhe njëkohësisht një listë turpi për secilin prej nesh.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i sulmojmë ata.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i hetojmë ata.

Nuk ka ligj që na ndalon t’i investigojmë ata.

Por të gjithë ndaj tyre sillen si “konstruktivë”, shumë herë më konstruktivë se ndaj qeverisë apo opozitës.

Dhe kjo ka të bëjë me pafuqinë e një mekanizmi ekonomik të pavarur për shtypin shqiptar, që bazohet gjithnjë e më shumë tek reklama, pa pas nevojën e reklamuesve, e gjithnjë e më pak tek shitja e produkteve të tij.

Kur shtypi shqiptar të mbijetojë duke shitur produktin e tij, duhet të fillojmë të flasim për lirinë e tij. Tani duhet të flasim për mbijetesën e tij.

90 për qind e medieve të Tiranës, nuk justifikojnë dot pagat e tyre nga burimet publike që deklarojnë.

Portale dhe TV online që punësojnë 100 vetë, pa asnjë reklamë, vetëm në Shqipëri gjen. Dhe ata kanë pas ose botën e krimit, ose korrupsionin. Mos prisni ta luftojnë atë.

Armiku i madh i dytë i lirsë së shtypit, është sponsorizimi politik i tij. Ideja që me shtypin vihet e iket nga pushteti, është ende një ide biznesi në Shqipëri.

Qeveria, por dhe opozita, janë të fiksuara me rëndësinë e shtypit për pushtetin e tyre, dhe ajo që kanë bërë me sukses, është të  parcelizojnë shtypin, të kenë pushtetin e tyre mbi gazetarët, dhe t’i përdorin ato për interesa të tyre .

Kjo bën që kurrë gazetarët shqiptarë, të mos jenë të bashkuar në një kauzë. Dhe nuk ke si të jesh, pasi përdorimi politik lë gjurmët e tij.

Opozita aktuale ka një histori të ndyrë represioni ndaj shtypit, kur ka qenë në pushtet, kurse qeveria aktuale, një histori mikluese për të qenë komforte me mediat e mëdha.

Evoluimi që kemi nga vitet e pushtetit të Berishës, është se tani ka gazetarë që tenton t’i përdorë opozita, por nuk ka antimitingje ndaj tyre, si në kohë të Berishës, kur Frangaj mobilizonte lista gazetarësh, që dënonin dhunuesit e gazetarëve dhe mbronin dhunuesin, vetëm se dilte në foto me gruan e Berishës. Disa nga këta ishin para Kuvendit duke “luftuar” për liri.

Armiku i tretë i madh i lirsë së shtypit, është autocensura dhe guximi personal për të bërë gazetari.

Mediet e mëdha janë sot duarlidhura nga fakti se nuk janë konkurrente, nuk mbijetojnë dot me të ardhurat nga shitja e produktit të tyre, dhe janë në një aleancë mes biznesit dhe politikës.

Mediet e reja të internetit janë më të lira, por jo si gazetari cilësore, por si platforma propogandistike.

Nuk ka ligj për mediet në një sistem politik të lire si i yni, që mund të ndalë një gazetar të bëjë historinë e vet.

Dhuna ndaj gazetarëve dhe pasojat që ata kanë pasur në vite, kryesisht prej pushteteve të Sali Berishës, nuk kanë ardhur nga ligjet, por nga paligjshmëria dhe abuzimi me pushtetin. Por prapë nuk ja kanë dal dot.

Ndaj sot guximi për të bërë gazetari, është relativizuar nga guximi për të shpikur ngjarje. Gazetaria cilësore është mallë i lirë në treg. Ajo as blihet e as shitet, vetëm sponsorizohet, siç janë rastet e financimeve të Ambasadave të atyre që quhen media të OJQ.

Rreziqe të tjera nuk shikoj, përveç kësaj që po ndodh sot, e cila tenton të barazojë guximin për t’i shkuar të vërtetës në palcë, përmes gazetarisë së vërtetë, me guximin për t’i shkuar burimit në palcë përmes gënjeshtrës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson

Ambasadori i Rusisë në Tiranë largohet nga Shqipëria, ja kush e zëvendëson