TIRANE-Pas rrëzimit të tre kandidaturave të para dhe thirrjes së Kuvendit për emrin e radhës, Presidenti Ilir Meta e ka dorëzuar sot. Propozimi i kreut të shtetit është Arben Shehu për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ilir Meta shkruan se Arben Shehu i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Sipas Presidentit, mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.

Refuzimi i tre kandidaturave të para, Meta shprehet se ka qenë një presion politik me qëllim që të vendoste kandidaturën që mazhoranca kërkonte. Në letrën e dërguar Kuvendit, Meta akuzon se mazhoranca po kap institucionet e pavarura, për këtë arsye janë rrëzuar pa të drejtë 3 emrat e parë, Vitore Tusha, Bahri Shaqiri dhe Petraq Milo. 

"Nisi fushatë në media për miratimin e një projektligji, për emërimin e Zv/Kryetarit të KLSH. Kjo fushatë ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit. Presion politik për të propozuar një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin. E njëjta qasje e Kuvendit si gjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse vijohet në drejtimin për kapjen e institucioneve të pavarura, tregues se 3 kandidatët për KLSH u rrëzuan pa të drejtë", thuhet mes të tjerave në letër, teksa i kërkon Kuvendit të trajtojë me objektivitet dhe me përgjegjshmëri kandidaturën e Arben Shehut.   Tashmë mbetet për t'u parë se cili do të jetë vendimi i shumicës nëse do të pranojë për të votuar Arben Shehu kryetar të KLSH-së.

Propozimi i plote i argumentuar i Presidentit
Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11498, datë 4.6.2020, ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që Dr. Arben Shehu të zgjidhet në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.

Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë.

Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to.

Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kanditaruave rradhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave.

Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës.

Ndaj dhe Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature iu përcoll sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me kërkesën specifike që këtë herë që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik.

Më poshtë një përmbledhje e CV-së, të kandidaturës së propozuar:

DR. ARBEN SHEHU

TË DHËNA PERSONALE:                                                                                   
Datëlindja: 20.1.1980
Vendlindja: Shkodër

EDUKIMI DHE KUALIFIKIME:
1998-2002 Diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2004-2005 Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2011 Marrja e gradës shkencore “Doktor i Shkencave Ligjore” në fushën e krimit të   organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar.

2018 Diplomuar për Administrim Biznes

Vazhdimi i ciklit për titullin Profesor i Asociuar

 Njohës shumë i mirë i tre gjuhëve të huaja (Anglisht, Italisht, Frëngjisht)

EKSPERIENCA:
2004 – e në vazhdim Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

2003- e në vazhdim, anëtar i Dhomës së Avokatisë, dhe përfaqësues për çështje ligjore dhe ekonomike të shoqërive tregtare.

Redaktor në “World Journal of Social Science Research”

Pjesëmarrës në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me publikime akademike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Refuzimi i tre kandidaturave/ Meta letër Ruçit: Presion që të vendosja emrin që do PS-ja! Po tentohet 'kapja' e KLSH-së

1560243479_ilirmeta.jpg

Për presidentin Ilir Meta refuzimi i tre kandidaturave për kreun e KLSH-së është një tregues se mazhoranca po tenton të kap edhe këtë institucion. Me anë të një letre, dërguar kreut të Kuvendit, vetëm pak orë pasi propozoi Arben Shehu,, emri i katër, Meta i ka kërkuar kuvendit që ta shqyrtojë këtë kandidaturë me objektivitet dhe me përgjegjshmëri.

"Deri tani jam vënë para faktit të kryer të rrëzimit të propozimeve për tre kandidatura radhazi për në KLSH. Të tre këto kandidatura përmbushnin kriteret ligjore dhe gëzonin përvojë të gjerë profesionale. Nisi fushatë në media për miratimin e një projektligji, për emërimin e Zv/Kryetarit të KLSH. Kjo fushatë ka për qëllim ushtrimin e presionit politik ndaj Presidentit. Presion politik për të propozuar një kandidaturë nga ato që kërkon prej kohësh mazhoranca. Ky veprim i Kuvendit tregon mungesë vullneti për bashkëpunim me Presidentin. E njëjta qasje e Kuvendit si gjatë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse vijohet në drejtimin për kapjen e institucioneve të pavarura, tregues se 3 kandidatët për KLSH u rrëzuan pa të drejtë. Dr.Arben Shehu, kandidat shume i përshtatshëm, me përvoje, profesionalizëm dhe me dinjitet. Dr. Arben Shehu është diplomuar jurist dhe është një ndër njohësit më të mirë të së drejtës penale. Dr. Shehu është gjithashtu i diplomuar edhe në fushën e administrimit të biznesit, me një përvojë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore. Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe me përgjegjshmëri", shkruhet në letër.