Kur kanë mbetur 3 javë nga mbledhja e këshillit të ministrave të BE, nga ku do të vendoset për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërinë, agjencia Reuters thotë se janë tri vende momentalisht që e bëjnë të pa sigurt hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë. Ato janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Prandaj është e paqartë, nëse këshilli ministrave i BE do të japë dritën e gjelbër në samitin 28 qershorit, thotë Reuters duke cituar burime jo vetëm nga qarqe të Komisionit Europian, por edhe të qeverisë gjermane. “Brenda Berlinit ka zëra kritikë për qëndrimin e Macron se nuk po e dallon rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin e Europës” thekson Reuters.

Për Macron nuk ka interes aq zgjerimi, se sa forcimi i bashkëpunimit brenda BE dhe vendeve të eurozonës. Ndërsa në Bruksel thuhet se “Macron ka ndjesinë, se do t’u hapte krahun djathtistëve në politikë, sepse për Shqipërinë mendohet menjëherë për kriminalitetin e organizuar”, shkruan Reuters. Edhe qeveria holandeze e argumenton qëndrimin e saj kundër menjëherë me frikërat e brendshme. Sakaq maxhoranca dhe opozita në Shqipëri janë duke lobuar në kahe të kundërta. Nga njëra anë kemi kryeministrin që ka vizituar Gjermaninë, Francën dhe Austrinë për të lobuar pro çeljes së negociatave nga ana tjetër kreu demokratëve Basha është duke bërë të kundërtën. Kryetari i PD Lulzim Basha ka fluturuar drejt kryeqytetit gjerman përpara pak ditësh, ku ka marrë pjesë në një takim me një grup miks deputetësh gjermanë, francezë e holandezë që janë kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë.

Një prej pjesëmarrësve në takim i tha Report TV se Basha, u ka folur atyre për situatën në Shqipëri, e cila sipas tij është nën kontrollin e krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës, duke vënë theksin tek ai që e ka quajtur përfshirja e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Lulzim Basha ka treguar gjerë e gjatë historinë e Babales dhe të të vëllait të ministrit, duke u thënë deputetëve të mbledhur për të marrë argumente kundër çeljes së negociatave, se Edi Rama dhe ministri i Brendshëm po përpiqen të manipulojnë audiopërgjimin në bashkëpunim me prokurorinë.  Një prej të pranishmëve në takim i konfirmoi Report TV, se argumentet e liderit të opozitës shqiptare kundër çeljes së negociatave kanë qenë mbresëlënëse dhe kane forcuar bindjen e te pranishmeve për qëndrimin e tyre kundër hapjes së derës për Shqipërinë në fund te qershorit.