“Mysybet jemi! Ça të thush?! Unë jam në një dyqan me qira. Të parën paguaj qeverinë, të dytin paguaj të zotin e dyqanit, ç’të ngelet ha unë"- u shpreh një nga dyqanxhinjtë.-"Lista e borxhlinjve është plot. Tre fletore m’i ka gris çuni dhe unë prapë vazhdoj e jap veresie, se më vjen keq. Vijnë njerëzit këtu e qajnë për një kafshatë bukë. Numërojnë riskat e bukës, dy në mëngjes, dy në drekë e dy në darkë. Jo se mbajnë dietë, po s’kanë të blejnë”, thotë një grua e moshuar në njërin prej dyqaneve me mallra ushqimorë të Elbasanit.
Pyetjes së kryesocialistit se a do t’i lehtësonte heqja e taksës së biznesit të vogël, opronarja e një dyqanit i është përgjigjur: “Aq më mirë. Patjetër që lehtësohemi, se unë 300 mijë lekë i pagova pardje. Ia hoqa gojës dhe ia çova qeverisë”
Pak më tutje një tjetër dyqan, më të vogël se i pari, ku shitej byrekë dhe bugaçe, pronarja i ankohet kreut të PS për nivelin e lartë të taksave dhe tatimeve. “Unë te ky dyqan që punoj, kaq i vogël sa është dhe kam shumë taksa e tatime, duke nisur që nga kasa fiskale që unë e kam marrë me kredi në bankë se nuk kisha lekë. Edhe unë punoj me lista. Ja ta shikoni fletoren për kuriozitet, sa kanë marrë veresie dhe mua nuk më del për të ngrënë për vete. Burri ka punuar 35 vjet në fabrikën e çimentos, dhe ka tre vjet që e nxorën nga puna. Të dy çunat i kam në shkollë, dhe me këtë dyqan kaq të vogël unë ha bukë bashkë me gjithë familjen, katër vetë”, tregon gruaja, që nuk e fsheh dëshpërimin për situatën ku ndodhet".
Këto lloj bisedash e kanë shoqëruar Ramën hap pas hapi. Gjatë bisedës me shitësit e shitoreve të vogla, Rama u ka bërë të qartë përfaqësuesve të biznesit të vogël, se menjëherë pas 23 qershorit qeverisja socialiste do të angazhohet për të realizuar një ndryshim radikal në ecurinë e këtij sektori mjaft të rëndësishëm. “Me biznesin e vogël duhet bërë një ndryshim radikal komplet. Duhet lehtësuar maksimalisht te të gjitha peshat fiskale dhe administrative, në mënyrë që të fillojnë të marrin pak frymë, sepse ky është jo vetëm degradim ekonomik, por është degradim social, është degradim komunitar, është degradim shpirtëror masiv. Prandaj këtu duhet ndërhyrë urgjentisht”.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)