TIRANE- Partia Socialiste kërkon dorëheqjen ministrit të Mbrotjes Arben Imami dhe vënien në hetim për kontratat e lidhura me shtetasin serb Slobodan Tesiç, i cili rezulton i skeduar në disa raporte të OKB-së për furnizimin me armë në Afrikë, por edhe i përmendur nga një kabllogram i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si furnizues i Jemenit me armatim të rëndë.

Në një prononcim për median, nga selia rozë nënkryetari i Grupit PS publikoi dokumentet ku ministri i Mbrojtjes, Arben Imami faktohet se ka lidhur kontrata me kompaninë "Moon Storm Enterprises" e cila në kabllogramet e Shteteve të bashkuara është e skeduar si pronë e trafikantit serb Slobodan Tesiç, dhe tregtia e armëve është bërë në kohën kur në Jemen ishte luftë civile. Kontrata u publikua sot edhe në gazetën Shqiptarja.com, nga gazetari Habjon Hasani.

”Një set i ri dokumentesh të paklasifikuara, tregojnë një kontratë që ka si objekt shitjen në Jemen të 20 mijë predhave e mortajave 120 mm dhe 4 milionë fishekëve. Periudha kohore kur i referohen dokumentet është fundi 2009- 2010 dhe fillimi 2011, që është periudha e fillimit të konfliktit civil në Jemen.”- deklaroi sot Braçe.

Sipas Braçes për nënshkrimin e kontratës me “Moon Storm Enterprises" ministria e Mbrojtjes nuk ka konsultuar me ndërkombëtarët dhe ka dhënë një licencë duke shtyrë afatin. Braçe kërkon dorëheqjen e Imamit por dhe të drejtorit të Agjencisë së Transporteve dhe ish drejtorit të SHIU-t dhe vënien e tyre nën hetim.

“Në nëshkrimin e kontratave nuk janë konsultuar ndërkombëtarët dhe ka dhënë licensë duke shtyrë afatin pa u hetuar mbi të. Njolla që ka marrë Shqipëria është shumë e madhe dhe e zezë. Përgjegjësia është shumë e rëndë politikisht e penalisht. Imami duhet të dorëhiqet. Drejtori i agjencisë së transporteve dhe ish drejtori i SHIU-t të shkarkohen dhe të vihen në hetim menjëherë."- tha Braçe.
(sg/shqiptarja.com)