TIRANE - Partia Socialiste vazhdoi sot denoncimin për shkeljet dhe abuzimet që sipas tij janë bërë nga ministria e Mbrojtjes dhe vetë ministri Imami.  Duke publikuar dokumente të reja nënkryetarit të grupit PS Braçe tha se këto shkresa provojnë se në shitjen e pasurisë së armatimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, që arrijnë në 200 milionë dollarë, dikasteri i Imamit ka favorizuar vetëm dy kompani private serbo malazeze të cilat kanë lidhje të dyshimta në trafikun e armëve.
 
Sipas Braçes torta e pasurisë është ndarë mes kompanisë "Unimesco," bashkëaksionerët e së cilës kanë lidhje me gruan e ish-shefit te Shërbimit Informativ te Ushtrisë, Ylli Zyla dhe tjetra "Montenegro Defence Industri", që ka lidhje te forta serbe.

"Torta e madhe e pasurisë së ushtrisë veçanërisht gjatë 2010- 2011 e në vijim është ndarë mes 3 kompanive: Montenegro Defence Industri, Unimesko dhe ndërmarrja shtetërore MEICO. Dy kompanitë e para kanë krijuar dyopolin e fortë nisur nga sasitë e kontraktuara dhe vlera e tyre e dokumentuar. Disponueshmëria e ministrisë së Mbrotjjes ndaj tyre ka qenë shumë e fortë madje me shkrim, siç ju paraqita në dokumente" - deklaroi sot në mesditë nënkryetari i grupit PS Erjon Braçe.

Duke paraqitur disa dokumente të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e burimeve dhe e modernizimit të Ministrisë së Mbrojtjes Braçe jep detaje për secilën nga këto kompani serbo- malazeze.

MONTENGRO DEFENCE INDUSTRI

Sipas Braçes kjo kompani eshtë dega malazeze e të famshmes ndërmarrje të madhe serbe "Jugo import". Shtetasi Zoran Damjanoviç është personi që përfaqëson dy kompanitë si shoqëri tregtare, por dhe në marrëdhënien e dokumentuar me Ministrinë dhe MEICO.

"Montenegro Defence Industri" ka pasur një tjetër kompani në origjinë të saj që operonte rëndë në tregtinë e armëve dhe të municioneve në Ballkan. E famshmja "Taran" . Tek "Tara" i gjeje të gjithë nga emrat më të përmendur të trafikut të armëve në botë deri tek lidhjet mes kompanive që e kanë sjellë prokurorinë në transaksione që i parapriu e më pas u zbulua me shpërthimin kriminal të Gërdecit."- informoi Braçe.

UNIMESKO
Eshtë kompania që drejtohet nga Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski ortakë të bashkëshortes së ish kreut të SHIU, Ylli Zylës në një firme misterioze për energjinë. Zbulimi i Shqiptarja.com bëri që kreu i SHIU-t Ylli Zyla të jepte dorëheqjen.
Braçe tha se rezulton se "është dokumentuar konflikti i pastër i interesit të zyrtarëve të ministrisë së Mbrojtjes, favorizimi në mallra e çmime në një seri kontratash dhe mbyllje sysh në mangësi dokumentacioni në raport me kërkesa strikte të kësaj tregtie.  "   

"Unimesko,është linjë serbo- shqiptare në tregtinë e armëve, municioneve e eksplozivëve në marrëdhënie të fortë me Ministrinë dhe MEICO, por ne do e trajtojmë më vonë."- shtoi deputeti socialist.

 PASURIA E MINISTRISË SË MBROTJES
Sipas PS pasuria në armatim që ka nën administrim ministria e Mbrojtjes kapin vlerën e mbi 200 milionë dollarë, nisur nga vlera në treg dhe ajo kontratave të lidhura.
200 mln copë fishekë, model 56
500 mln copë fishë model 53
12 mln fishekë 12. 7
15 mln copë fishekë, 114 mm
10 mijë copë predha për murtajë
500 mijë predha 82 mm për murtajë,
10 mijë copë shtimje reactive
2 milionë copë granata dore defensive
400 mijë copë granata dore offensive
20 mijë copë automatikë model 7. 62

Prej ditësh Braçe vazhdon denoncimin sipas opozitës të shkeljeve të Kushtetutës që bën Ministria e Mbrotjes, nga ana e saj ky institucion i hedh poshtë këto akuza.
(sg/shqiptarja.com)