Policia e Tiranës është duke hetuar një rrjet të dyshuar të vjedhjes dhe trafikimit të monedhave të vjetra të floririt tepër të kushtueshme, pas arrestimit të shtetasve Kadri e Klevis Forgali, babë e bir, 65 dhe 35 vjeç, me 467 objekte të tilla.

Pikënisja e hetimit të koduar me emrin “Gold Coins” duket se ka qenë vjedhja e një banese në zonën e mbuluar nga Komisariati nr. 2 në Tiranë, ku pronarët i thanë policisë se autorët u kishin marrë 3 monedha të vjetra dhe disa bizhuteri, të cilat kanë një vlerë të konsiderueshme, por edhe sentimentale pasi ishin trashëguar nga të parët.

Agjentët e policisë, pak ditë pas denoncimit, i gjetën monedhat të reklamuara në një faqe online në Instagram, e cila shiste edhe produkte të tjera ari.

Inflitrimi i agjentëve

Policia organizoi punën për kapjen e autorëve ku përmes agjentëve të infiltruar, u bë e mundur ndërhyrja për ti blerë  monedhat.

Fillimisht efektivët takuan Klevis Forgalin për të bërë blerjet e simuluara, dhe pasi u bindën se ishin të njëjtat monedha të vjedhura kryen edhe kontroll në banesë. Brenda saj u gjetën më shumë se 460 monedha flori të vjetra, për të cilat babë e bir, Kadri e Klevis Forgali nuk dispononin asnjë dokument.

Dy të dyshuarit u arrestuan ndërsa më pas u treguan hetuesve se 3 monedhat që rezultojne të vjedhura i kishin blerë në zonën e Dollarit. Policia thotë se autori që i ka vjedhur monedhat në banesën e të dëmtuarve dhe që më pas shiti akoma nuk ështe identifikuar. Ndërkohë babë e bir kanë deklaruar se pjesën tjetër të monedhave i kanë blerë në Shkodër, pa mbajtur asnjë dokumentacion.

Policia ka ngritur akuzë ndaj tyre për fshehje të ardhurash pasi shitja e bëhej online dhe pa kupon tatimor. Hetuesit thanë se vlera e monedhave është shumë e lartë, pasi në varësi të peshës dhe vjetërsisë çmimi I tyre mund të shkojë deri në 2 mijë euro për cope. Sipas një vlerësimi paraprak, pjesa tjetër e objekteve të sekuestruara variojnë nga 500, 600 apo 700 euro.