TIRANE - Siguria ushqimore në tregjet e kryeqytetit është në gjendje të mjeruar. Ushqimet mund të tregtohen kudo pa asnjë farë përkujdesje dhe jashtë çdo kushti higjeno-sanitar.

Me rritjen e temperaturave dhe ardhjen e stinës së pranverës prodhimet bujqësore janë të shumta, kjo gjë ka bërë që rrugët dhe trotuaret e kryeqytetit të pushtohen nga këto produkte.

Edhe pse jashtë çdo kushti minimal të tregëtimit të produkteve, askush nuk i ndal këta shitës ambulantë të bëjnë punë e tyre. Por, shitja e frutave dhe zarzavateve, që konsumohen nga qytetarët në këto temperatura të larta, në mes të diellit dhe pluhurit është e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.

Ndërsa konsumatorët të pashqetësur për shëndetin e tyre vazhdojnë të blejnë produkte, që nuk janë aspak të kontrolluar. “ Blej këtu sepse produktet janë nga fshati dhe janë të freskëta” shprehet një konsumatore.

Në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar vetëm për periudhën Janar - Dhjetor 2012 ka pasur 3965 ankesa për tregjet e rrugës, për ushqimet e skaduara, rrezikun e fast-foodeve, të tregut ambulant, mungesë të shërbimit nga tregu, ushqime të sigurta e sidomos shitja e prodhimeve shtazore në rrugë jashtë kërkesave higjeno-sanitare, helmime nga ushqimet etj.

Drejtuesi i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar Dr. Islam Cami shprehet për këto tregje se “Është në atë gjendje që më vjen keq ta themi sepse në asnjë shtet fqinj nuk ka një treg ashtu sikurse janë këtu tek ne, pra ne jemi të veçantë me pranine e tregut të rrugës.

Në rrugë shitet qumështi dhe të gjitha nënproduktet e tij si gjiza, djathi, gjalpi, etj nëpër kova dhe enë të ndryshme, nëpër kova që janë marrë vend e pa vend që mund të kenë qenë edhe me bojë.

Këto muajt e fundit është vënë re krejtësisht një shkujdesje e organeve kontrolluese shtetërore për këto tregje. Shohim që mishi dhe nënproduktet e tij, peshku dhe të gjitha produktet e detit, pulat të gjalla apo të therura ,vezët etj shiten gjithandej nëpër rrugë.

Produkte këto që janë një rrezik për shëndetin e konsumatorit” shprehet Cani. Tregje të tilla ka kudo në Kamëz, Kodër Kamëz, tek Ura e Institutit, në Shkozë, në Mullet, Ndroq, Vaqarr.

Madje dhe në zemër të kryeqytetit në si në Rrugën e Kavajës, Kombinat, Yzberisht, Tregu i Uzinës Dinamo, Treni, Hekurudha, te Jordan Misja, dhe zona të tjera të Tiranës; Por dhe në disa qytete të tjera të vendit si Durrës, Lezhë, Shëngjin, Peqin, Burrel, Bulqizë, Shkodër.

Tregjet e rrugës lulëzojnë gjithandej, ndërsa ashkush nuk mban përgjegjësi për to edhe pse institucionet për kontrollin e tyre nuk mungojnë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)