Treni elektrik, ringjallet
projekti i Fatos Nanos

Pasi e çoi në gjendjen më të vështirë në 20 vjetët e fundit sektorin e hekurudhave, dikasteri i Olldashit kërkon tani ndihmë nga ndërkombëtarët me një strategji për të risjellë në "lavdinë e dikurshme" transportin mbi shina. Duke e filluar nga rigjallërimi i një projekti, të inicuar nga qeveria Nano, për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës.
Për këtë, si dhe për rrugët automobilistike, qeveria i është drejtuar për ndihmë Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, e cila ka shpallur kërkesë për shprehje interesi lidhur me një strategji të rehabilitimit të transportit hekurudhor në Shqipëri.

SITUATA
Kompania e Hekurudhave Shqiptare (HSH) është përgjegjëse për infrastrukturën dhe veprimtarinë e transportit hekurudhor në Shqipëri, theksohet në raportin e shkurtër që shoqëron dokumentin e BERZH-it.
Deri tani, në këtë sektor për një kohë të gjatë ka patur investime të pakta dhe mirëmbajtja është kufizuar në gjërat më thelbësore, thekson BERZH. Shinat janë të përdorshme, por në një gjendje të mjeruar. Lokomotivat dhe vagonët janë të vjetër dhe duhet të zëvendësohen. Sinjalistika ështa gati në pikën e vdekjes. Është e nevojshme të organizohet një shërbim I rregullt me cilësi që të tërheqë pasagjerët drejt hekurudhës për të lehtësuar trafikun e rënduar në rrugë. Sistemi hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar për t'I shërbyer industrisë dhe aktualisht e bën një gjë të tillë: për çelikun, çimenton dhe industrinë e naftës përdoret transporti mbi shina.

KËRKESA
Qeveria shqiptare i ka kërkuar BERZH-it të ndihmojë me një projekt që synon financimin e investimeve, me objektiv rigjallërimin e hekurudhave shqiptare nëpërmjet përmirësimit të infrastructures dhe veprimtarisë hekurudhore, duke krijuar sigurinë e duhur në to. Përparësia kryesore: Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Po kështu, kërkohet përcaktimi i përparësive midis gjithë linjave ekzistuese hekurudhore që do të kërkojnë mbështetje ekonomike e financiare për investime në afat të mesëm dhe të gjatë. Pra, detyrat do të jenë dy: Linja Tiranë-Durrës dhe zhvillimi i të gjithë rrjetit hekurudhor. Puna për hartimin e një strategjie të tillë do të fillojë në shtator 2012 dhe do të vijojë për nëntë muuaj. Pagesa do të jetë 1.25 milionë euro pa TVSH për kompaninë realizuese. Kompania duhet të ketë përvojë pune në hekurudha dhe duhet të ketë punuar më parë në Ballkanin Perëndimor.

(aq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi