Sot që ka ngelur vetëm nji stacion i harruar, kujtimet e vetme të asaj që ishte, janë disa tabela të shkruara me dorë në të cilat mund të lexosh “Stacioni i Trenit” dhe “Biletaria”. U premtua se qyteti do të modernizohej me linja që do të lidhnin çdo cep të tij. Ëndrra që për ata që janë më pranë se kushdo, e dinë se ndërrimet e pushteteve janë pasuar veçse nga zhgënjimet. Dikur jetonin vetëm me dilemat që i vendoste jeta, përballonin me vuajtje mbijetesën përmes një tregu modest por të mbipopulluar. Sot jetojnë mes frikës së zhurmës së një fadrome.
Bulevardi
Një projekt ambicioz i hartuar nga Bashkia, që fshihej mes shifrash të padeklaruara(për çështjen e shpronsimeve) do të kthente një prej zonave të harruara të kryeqytetit në hapësirë të rëndësishme urbane. Por projekti i inaguruar shpejt do të befasonte të gjithë banorët. Pretendimet e tyre për banesat të cilat do të rrafshonte bulevardi i ri, do të mernin një përgjigje me një shumë që nuk i kalonte 263 mijë lekët(e vjetra) për metër katror. Ishte koha kur shumë prej banorëve autokton të kryeqytetit filluan ta mendonin veten si të pastrehë. Takimet e zhvilluara me ta nga ana e Bashkisë, thuajse kanë dështuar të gjitha.
Premtimet e dhëna kanë rënë njëri pas tjetrin ndërsa sot, ka ngecur edhe projekti. Dhunë, forcë, përleshje, ka qënë historiku i marrdhënies mes një institucioni dhe shumë banorëve që nuk kundërshtuan ndryshimin, por që me gjasa po ngelin të pastrehë. Edhe ai shirit inagurimi nuk mundi të pritej nga forca e përleshjes dhe zërat çjerrës të banorëve që kërkonin zgjidhje për shtëpitë që shpejt do të rrafshonte fadroma. Heshtja dhe zgjidhjet e njëanshme ishin oferta e vetme që Bashkia ofronte për ta, ndërkohë që vendosmëria e tyre për të bërë rezistencë s’do kishte të ndalur.
Banorët
Po të mos kishte qënë bashkëpunimi dhe rezistenca e tyre, ndoshta shtëpitë në të cilat sot jetojnë do të ishin rrafshuar me kohë. Nën konsulencën e një avokati dhe me një përfaqsie banorësh, interesat e tyre janë shfaqur kudo. Pirro Demiraj, përfaqsuesi i banorëve duket se shpresën e fundit e ka tek një premtim që një prej përfaqsuesve të kryeministrit Rama, ka dhënë për rishqyrtimin e shpronësimeve.
“ Bashkia s’na ka dëgjuar për asgjë, as për alternativën që i paraqitëm për ndërtimin e dy pallateve ku të strehoheshim të gjithë, as kur kërkuam rishikimin e çmimit të vendosur”, shprehet zoti Demiraj. Sipas tij, kurrë nga ana e tyre nuk është hedhur poshtë zhvillimi i kryeqytetit dhe e një projtekti të tillë, por jetët e tyre dhe vlerësimet e bëra nga Bashkia, kanë fyer dhe injoruar gjithmonë interesat jetike për të pasur një shtëpi ku të strehohen.
U bënë disa ditë që fadromat nuk duken dhe punëtorët e paktë bëjnë sikur punojnë në një rrugë që ende s’ka pronar. Deri në momentin kur do të arrihet dakordsia për çështjen e shpronsimeve, jetët e banorëve do të jenë të trazuara, ndërsa ritmet e punimeve në bulevard të papërfillshme.
Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)