- Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, deklaron për ATSH-në-
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa
PRISHTINË, 19 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- "Trepça, ristrukturimi dhe transformimi i saj do të rregullohet me ligj të veçantë", deklaron për ATSH-në , kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Muhamet Mustafa.
Seanca e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, i cili do të ruajë ndërmarrjen Trepça nga likuidimi, e thirrur për sot në orën 10 ka filluar me rreth një orë e gjysëm vonesë, kohë gjatë së cilës janë zhvilluar konsultime, ndërsa u paralajmërua një seancë e jashtëzakonshme pasdite.
Pas këtij paralajmërimi seanca e nisur u ndërpre për t'u zhvilluar një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit dhe më pas u mblodh përsëri qeveria, e cila kishte mbajtur mbledhjen e parë gjatë ditës së sotme para fillimit paradite të seancës së Kuvendit.
"Natyrisht që ne jemi në Kuvend sot lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndërmarrjet, publike, me të cilin ka qenë e parashikuar që Trepça të shndërrohet në ndërrmarje publike. Ne kemi diskutuar në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe parimisht e kemi përkrahë këtë, por ndërkohë janë problemet e kreditorëve, të cilat në këtë rast do të mund të binin mbi buxhetin e Kosovës. E buxheti i Kosovës nuk e ka atë fuqi që t'i përballojë këto kërkesa", tha deputeti Mustafa.
Prandaj, vijoi ai, në bazë të konsultimeve ne sot pasdite do ta aprovojmë ligjin, i cili do ta amendametojë ligjin mbi ristrukturimin dhe organizmin e ndërmarrjeve të caktuara, me të cilin moratoriumi në kërkesat e kreditorëve do të zgjatet edhe për 15 muaj.
"Ndërkohë, do të shkojë në procedurë edhe projekti për ndryshimin e ligjit të ndërmarrjeve publike, por sa i përket Trepçes do të ketë një nen, ku do të thuhet se Trepça, ristrukturimi dhe tranformimi i saj rregullohet me ligj të veçantë. Në këtë mënyrë ne do të mund të përbëjmë një ligj shumë kompleks, sepse Trepça ka shumë probleme të ndjeshme, të natyrave të ndryshme, duke filluar prej emocionale, politike, e më së shumti ekonomike. Do të kemi mundësi që me një ligj gjithëpërfshirës të sigurojmë perspektivën e mëtejme të Trepçës", theksoi kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa. Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, i cili do të ruajë ndërmarrjen Trepça nga likuidimi./k.s/