Trishtimi në fotot e notit të kryeministrit

Trishtimi në fotot e notit të kryeministrit
Ç'të keqe kemi bërë ne shqiptarët që të meritojmë përvit një lajm absurd, sa të trishtë aq qesharak: Rekordi me veten i kryeministrit të Shqipërisë në ujërat e detit Jon. Si shpjegohet që kryeministri i Shqipërisë dhe stafi i afërt i tij, nuk arrijnë të kuptojnë që ka një cak etiko-estetik e moral në përcjelljen e lajmeve për publikun, i cili nuk mund të kapërcehet. Nuk jemi më në diktaturë, por përcjellja e lajmeve dhe fotografive të tilla, na bëjnë të mendojmë se shumë prej nesh jetojnë akoma në atë kohë. 

Kryeministri, duke qenë mjek, besoj e di më mirë se shumë prej nesh çdo të thotë të rrish 141 minuta në ujë, me një stil noti që nuk jam unë ajo që mund të gjykoj nëse është vërtetë not, apo me ç'tjetër emër mund të quhet; por këto lloj lajmesh, sinqerisht, mund të na i kursejnë. Në ç’vend të civilizuar të botës, edicioni kryesor i Televizionit shtetëror do të hapej me rekordin personal në det, gjatë pushimeve, të kryeministrit? Askund. Atëherë pse ndodh kjo tek ne? 

Mendoj që euforia e pushtetit dhe dëshira për të pasur e “pushtuar”, manipuluar cdo gjë, lexohet lehtë pas publikimit të përvitshëm të këtyre fotove dhe rekordeve. Por problemi nuk është më shumë te kryeministri sesa te njerëzit që e rrethojnë dhe reagimi i mediave dhe opinionit publik: Shumë nënshtrim, mungesë personaliteti e lirie për të gëlltitur çdo gjë.

Ja komunikata e plotë e zyrës së shtypit të kryeministrit:

“Edhe këtë vit, Kryeministri Berisha ka zgjedhur sërish bregdetin e Dhërmiut për të kaluar një fundjavë pushimi.
I frymëzuar nga shpirti olimpik, Kryeministri Berisha, i cili po kalon të dielën me mbesat dhe nipërit në Dhërmi vendosi sot një rekord të ri personal, 141 minuta not në ujërat e mrekullueshëm të detit Jon, kundrejt 132 minutave të një viti më parë. Noti filloi në orën 9:10 dhe përfundoi në orën 11:31 minuta.
Kryeministri tha se "zëri i detit JON me tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013".
Ndonëse ky është një rekord historik i Kryeministrit Berisha, ai beson se ne Gusht mund të shënojë një rekord tjetër të ri.
Pushimi në Dhërmi gjate sezonit veror për Kryeministrin Berisha, eshtë kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm”.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Hyri me forcë në bankën e nivelit të dytë mbrëmjen e së shtunës, arrestohet 38-vjeçari: Nuk mbaj mend gjë, isha i dehur (EMRI)

Korçë/ Hyri me forcë në bankën e nivelit të dytë mbrëmjen e së shtunës, arrestohet 38-vjeçari: Nuk mbaj mend gjë, isha i dehur (EMRI)