TIRANE - Ish-kryetari i PD, njëherësh anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie Tritan Shehu në intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se tashmë debati në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri Lulzim Basha, një risi kjo sipas tij për politikën shqiptare, është në kapitull i mbyllur. Sipas tij, tashmë sfida e vetme e opozitës së re është që e gjitha bashkë të përballojë këtë mazhorancë të majtë, që për të është një kundërshtar i dobët.

Ai thotë se duhet të sqarohen njerëzit në lidhje me premtimet që e majta ka bërë në fushatën elektorale premtime të cilat janë shumë vështirë për t’u realizuar. Teksa ka komentuar dhe strukturën e qeverisjes së re të së majtës fituese, Shehu shpreh garancinë që kryetari i PD Lulzim Basha dhe lidershipi drejtues i ri i PD do orientojnë tërë strategjinë opozitare të Partisë Demokratike në drejtim të sqarimit të njerëzve në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në këto zgjedhje, por dhe në lidhje me premtimet futuriste dhe ngopjen me lugën bosh që ka bërë dhe po bën mazhoranca e majtë e cila pritet të startojë në shtator me kapacitet të plotë në qeverisjen e vendit.

Dhe sipas tij, kjo nuk është një çështje që do të bëhet nga një njeri i vetëm, por kërkon një mobilizim total të të gjithë potencialeve tona njerëzore dhe intelektuale, kërkon një aktivizim të plotë të strukturave që nga baza e PD-së si dhe një rigjallërim të tyre, për të qënë promotorë me idetë dhe aksionet e ardhshme politike të opozitës.

Njëherësh Shehu nënvizoi se është e domosdoshme që të bëhet analiza e humbjes, të nxirren përgjegjësitë që të shërbejnë për të ardhmen, ndërsa nëvizoi se PD ka nevojë për një riorganizim total të të gjitha strukturave të saj. Ai ka shprehur garancinë se shumë shpejt demokratët dhe aleatët do vijnë në pushtet.
 
Cila mendoni se duhet të jetë strategjia e ringritjes së PD pas humbjes së zgjedhjeve më 23 qershor. Çfarë mendoni se duhet të jetë më prioritare në këto momente të vështira për demokratët..?
Së pari do të doja të theksoj se, të gjitha energjitë e PD dhe lidershpit të saj, të të gjithë neve në këto momente duhet të drejtohen në luftën politike ndaj koalicionit të majtë. I cili po përgatitet të qeverisë vendin mbi një mal me spekulime e premtime boshe, të hedhura gjatë fushatës elektorale. Ky duhet të jetë objektivi kryesor për të gjithë ne në këtë periudhë, kjo duhet të jetë fjala jonë kryesore në sjelljen tonë politike në këto muaj.
 
Po lidershipi i PD çfarë analize do të bëjë për humbjen, duke qënë se demokratët kanë humbur thuajse në të gjitha qarqet e vendit, madje dhe në ato që kanë qënë bastione...?
Nga ana tjetër padyshim që unë jam i bindur që zoti Basha si kryetar i PD do të impenjohet pikërisht për të analizuar elementët që influencuan në humbjen e 23 qershorit, duke bërë padyshim rregullimet e nevojshme organizative, strategjike dhe politike në këtë periudhë të re të opozitës që PD do të bëjë. Dhe e theksoj që, kjo nuk është një çështje që do të bëhet nga një njeri i vetëm, kjo kërkon padyshim një mobilizim total të të gjithë potencialeve tona njerëzore dhe intelektuale, kërkon një aktivizim të plotë të strukturave që nga baza e PD-së si dhe një rigjallërim të tyre, për të qënë promotorë me idetë dhe aksionet e ardhshme politike të opozitës.
 
Do ketë ndryshime radikale në PD tashmë që në krye të saj është Lulzim Basha, i zgjedhur sipas parimit “një anëtar një votë”?
Një gjë duhet të kemi të qartë, që PD nuk po e fillon nga zeroja. Ne kemi një të kaluar realisht tejet të pasur suksesesh dhe arritjesh, kemi potenciale të mëdha të vendosura që nga viti 1990 në shërbim të zhvillimit të demokracisë dhe të Shqipërisë. Eshtë momenti që kjo trashëgimi e paçmuar të përbëjë dhe themelet mbi të cilët duhet të ngrihen nismat, idetë dhe vizionet e reja. Kjo padyshim të bën të ndjehesh i fortë, i sigurtë dhe të arrish në një kohë të shkurtër objektivat politike. Unë jam bindur që Basha dhe gjithë ne sëbashku do të ecim pikërisht në këtë rrugë të bashkëpunimit të thellë midis nesh, hapësirash reciproke, novacioni në ide, për të rivendosur balancat politike në Shqipëri në një kohë të shkurtër.
 
Por përballë keni një mazhorancë me 83 mandate në Kuvend dhe një koalicion vërtetë të fuqishëm, më i madhi i këtyre viteve...?
Përballë nesh nuk kemi kundërshtarë të fuqishëm por një kundërshtar shumë të dobët. Fuqia e kundërshtarit nuk matet me numrat në Kuvend, por me idetë që ai gjeneron. Fuqia e kundërshtarit matet me fuqitë që ka ai për të realizuar premtimet që i ka dhënë elektoratit gjatë fushatës. Në të dyja këto pika une mendoj se kundërshtari është shumë i dobët dhe ne jemi superiorë. Prandaj e theksoj se mobilizimi i të gjithëve neve për ti qartësuar elektoratit shqiptar spekulimet e së majtës, për ta ndërgjegjësuar elektoratin për atë që ka ndodhur, për të bërë që njerëzit të bëhen pjesë e aksioneve tona konkrete politike në realizimin e asaj qeverisjeje që ka nevojë Shqipëria pas një kohe jo të gjatë. Pra unë them që të gjitha energjitë politike t’i mbledhim dhe t’i harxhojnë ndaj kundërshtarit tonë politik.
 
Sa e vështirë është për të ringritur opozitën e djathtë, duke pasur parasysh se procesi i zgjedhjes së kryetarit sipas parimit “një anëtar një votë” solli debate. Kam parasysh reagimet e Olldashit, Patozit etj. Mendoni se duhet operuar me qetësi dhe pajtim apo u duhet referuar grupeve radikale në këtë parti që kërkojnë operacione të thella?
Unë e them me qartësi që procesi i brendshëm në PD deri më tani ka ecur mirë. Ne realizuam një risi në politiken shqiptare, në kushte "urgjence", pra në e kaluam provën e parë me sukses. Ky tashmë është një kapitull i mbyllur. Ne duhet të përgatitemi për sfidat e ardhshme, për të kaluar vështirësitë që do të vijnë, që realisht nuk janë të vogla, por janë krejt të tejkalueshme. PD ka kaluar momente shumë më të vështira në të kaluarën e saj. Sot ne i kemi të gjitha premisat, eksperiencën, vizionin, potencialet, miqtë tanë, për të bërë që gjërat në Shqipëri të ndryshojnë  shumë më shpejt se sa mendohet. Gjithashtu dua ta përsëris, ne kemi përballë nesh një kundërshtar shumë të dobët, në amulli e shterpë në ide, një kundërshtar që nuk di të ndërtojë as një strukturë qeverisëse reale e produktive. Ju e degjuat: "ministria e mirëqenies". Askush nuk mund ta përktheje. Me këto terma futuriste kërkon të fshehë mungesën e mundësive e kapaciteteve për të realizuar premtimet e fushatës. Ushqen njerëzit me lugë bosh, do të thoja. Kështu nuk vazhdohet gjatë në Shqipërinë e viteve 2000. Eshtë detyra jonë të qartësojmë njerëzit për gabimin që bënë me votën e tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)