Tritoli ndaj prokurorit/ KLP merr në mbrojtje Kuliçin dhe familjen e tij: Akt terrorist ndaj drejtësisë

Tritoli ndaj prokurorit/ KLP merr në mbrojtje Kuliçin dhe familjen e tij: Akt terrorist ndaj drejtësisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka cilësuar si një atentat terrorist sulmin ndaj prokurorit të Gjykatës së Vlorës, Albert Kuliçi. Në reagimin zyrtar, KLP njofton se pasi është informuar mbi ngjarjen, ka zhvilluar një mbledhje urgjente u vendos që Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shenjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit", njofton Këshilli.


Lajmi kryesor:

Vlorë/ I vihet tritol gjatë natës makinës së prokurorit të dosjeve 'të nxehta'! Albert Kuliçi dhe familja e tij merren në mbrojtje (VIDEO)


B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja