VLORË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, ku i është vënë tritoli makinës së prokurorit të Gjykatës së Vlorës, Albert Kuliçi. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 2:50 të mëngjesit të sotëm në lagjen '28 nëntori' dhe në momentin e shpërthimit makina tip 'Golf 5 Plus' me targat AA 583 OO, ka qenë e parkuar para banesës së prokurorit. Pranë saj ka qenë edhe një makinë tjetër. Lënda plasës automjetit i është vënë në pjesën e përparme duke i shkaktuar dëme të mëdha. 

Një burim nga policia tha për “Shqiptarja.com” se kamerat kanë arritur të kapin autorin edhe gjatë momentit të afrimit dhe largimit. Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje prokurori Albert Kuliçi dhe disa persona të tjerë. Ndërkohë ngjarja është klasifikuar se ka lidhje me detyrën e tij të prokurorit.  Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, siç njofton Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kuliçi dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje të posaçme, e ndërsa ka pasur reagime të shumta si nga figura të larta të drejtësisë ashtu edhe nga politika.

Prokurori i Përgjegjshëm, Olsian Çela bëri me dije se ka një angazhim maksimal nga ana e autoriteteve përkatëse për të zbardhur ngjarjen e plotë. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe anëtari i KLP-së, Tartar Bazaj, si dhe kreu i Gjykatës së Vlorës Skënder Haluci, që e quajti një veprim burracak. Reagim ka pasur edhe kreu i shtetit, Ilir Meta që bëri thIrrje për të vënë para drejtësisë autorët.

Kush është Albert Kuliçi
Prokurori Kuliçi ka në dorë shumë dosje të nxehta që kanë bërë bujë në qytetin e Vlorës. Veç detyrës së prokurorit, Albert Kuliçi, ushtron prej disa vitesh dhe funksionin e zv/drejtuesit të prokurorisë së Vlorës. Targeti i çështjeve që heton Kuliçi nuk janë vrasjet dhe krimet e rënda në Vlorë, por falsifikimet e pronave dhe krimi financiar. Kujtojmë që gjatë kësaj kohe, Kuliçi ka hetuar dhe çuar në gjykatë një sërë dosje penale, përfshirë këtu dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, të cilin e ka marrë të pandehur për lejet në Vlorë dhe konçesionin e parkimit të makinave në 14 rrugët kryesore në qytetin e Vlorës. Veç kësaj çështje Albert Kuliçit ka hetuar një sërë dosjesh, që kanë si subjekt zyrtarët e hipotekës së Vlorës dhe personat që kanë tjetërsuar mijëra metra katror tokë në bregun e Vlorës, kryesisht në Karaburun, Rradhimë dhe zonën e Zvërnecit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:08
Tritoli ndaj prokurorit/ PD: Ndëshkimi i autorëve duhet të jetë i shpejtë dhe shembullor

Partia Demokratike ka mbështetur prokurorin Albert Kuliçin, të cilit iu vu tritol në makinën mëngjesin e kësaj shtune. Në reagimin e tyre, PD thekson se ndëshkimi i autorëve duhet të jetë shembullor dhe sa më i shpejt të tjetë e mundur teksa kanë inkurajuar prokurorët, që pavarësisht rasteve të tilla të vazhdojnë punën e tyre pa u ndikuar.

"Akte të tilla mafioze kërkojnë angazhimin e menjëhershëm dhe energjik të organeve ligjzbatuese për vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të kësaj ngjarje. Ndëshkimi ndaj tyre duhet të jetë shembullor dhe i shpejtë. Lufta ndaj krimit të organizuar, dhe veçanërisht promovimit dhe mbështetjes politike ndaj tyre, është prioritet kombëtar.

Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë për trupën e prokurorëve dhe për familjet e tyre. Kemi qenë dhe do të mbetemi përkrah çdo prokurori të ndershëm që lufton krimin, pavarësisht mbështetjes që segmente të politikës i japin shpesh kriminelëve, duke i veshur me pushtet.

Inkurajojmë prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm, që pavarësisht vështirësisë, të vijojnë betejën pa kompromis ndaj krimit. Ata nuk janë vetëm në këtë betejë, por kanë përkrah shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që luftën ndaj krimit të organizuar e konsiderojnë si mundësi për ti dhënë vendit të ardhmen europiane", shkruan PD-ja.

Ora 17:33
Tritoli ndaj prokurorit/ Shoqata e Gjyqtarëve: Të gjendet autori, jo siç ka ndodhur me shumë ngjarje të tjera

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e ka cilësuar si një atentat mafioz sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi. Ata theksojnë se kjo ngjarje duhet të zbardhet dhe të mos mbetet pa autor, siç kanë mbetur shumë ngjarje të tjera të ngjashme.

"Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë përcjell me shqetësim të madh dhe indinjatë të thellë ngjarjen e sotme mafioze, të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një sasi eksplozivi ka hedhur në erë, duke dëmtuar rëndë, makinën e Prokurorit Albert Kuliçi, me detyrë Zëvendësdrejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe njëkohësisht drejtues i Njësisë së Posaçme (Task Force).

Ngjarje të tilla tronditin jo vetëm organet e drejtësisë por krijojnë dhe pasiguri të thellë në radhët e qytetarëve. Cenimi i jetës, shëndetit apo pronës së magjistratit përbën një fenomen të papranueshëm për një shtet të së drejtës, që duhet të vërë në alarm të gjitha strukturat përgjegjëse shtetërore si dhe të zgjojë ndërgjegjen qytetare për rëndësinë e misionit të magjistratit. Autori apo autorët e këtij akti të rëndë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi duhet të marrin një përgjigje të shpejtë, efektive dhe të ashpër nga organet ligjzbatuese.

Funksioni i magjistratit përbën një mision për shoqërinë dhe si i tillë duhet të perceptohet nga të gjithë. Cenimi i personit të magjistratit përbën cenim të të gjithë shoqërisë dhe një atentat ndaj rendit kushtetues, pasi përmes akteve të tilla preken garantët e shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të solidarizohen në mbrojtje të figurës dhe shërbimit që magjistrati kryen ndaj tyre.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë inkurajon të gjithë organet shtetërore që janë angazhuar tashmë me hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e autorit/autorëve të saj për të kryer një punë profesionale me qëllim që të rikthehet qetësia e munguar dhe besimi i tronditur nga kjo ngjarje në radhët magjistratëve por edhe të të gjithë qytetarëve. Shpresojmë që kjo ngjarje të marrë emër dhe të mos mbesë e pa zbardhur sikurse rëndom ka ndodhur në raste të tjera.

Në të njëjtën kohë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë falënderon të gjithë zyrtarët dhe organet publike të cilave ata u përkasin për reagimin e menjëhershëm mediatik dhe mbështetjen e gjerë që i kanë dhënë prokurorit Albert Kuliçi si dhe të gjithë trupës së magjistratëve në Republikën e Shqipërisë.

Së fundi, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë shpreh mbështetjen e parezervë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi si dhe ndaj të gjithë magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë, të cilët punojnë me ndershmëri, profesionalizëm dhe kurajë, duke mos kursyer asgjë që drejtësia të triumfojë. Shembulli juaj duhet të vazhdojë të shërbejë si frymëzim për të gjithë shoqërinë", shkruan Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.

Ora 16:00
Tritoli ndaj prokurorit/ Anëtari i KLP: E gjithë policia është në këmbë, shumë shpejt do kemi rezultate

Nga Vlora, anëtari KLP-s Tartar Bazaj njëherazi kreu komisionit të mbrojtjes së prokurorëve tha se ky sulm është një ngjarje shumë e rëndë, por bëri me dije e gjithë policia është në këmbë duke premtuar se shumë shpejt do të ketë rezultate.

“Është një ngjarje shumë e rëndë, jemi në krahë të prokurorit, e gjithë policia e shtetit është në lëvizje për këtë problem. Them që shumë shpejt do të kemi rezultatë. Policia e shtetit i ka marrë detyrat dhe paralelisht ka dalë me vendime përkatëse. Gjithsesi KLP ka akses për të dalë me vendim përkatës për mbrojtjen e prokurorit, jetës së tij dhe mbrojtjes së familjarëve’’, tha anëtari i KLP-së Tartar Bazaj

“Ka të bëjë me detyrën e prokurorit, nuk mund të themi se për çfarë drejtimi është fiks,ende s’ka të shoqëruar por janë marrë disa dëshmitarë të largët por jo konkret, janë marrë të gjitha kamerat duke u parë”, tha Drejtori i Policisë së Vlorës, Artion Duka

Ora 15:38
Tritoli ndaj prokurorit/ KLP merr në mbrojtje Kuliçin dhe familjen e tij: Akt terrorist ndaj drejtësisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka cilësuar si një atentat terrorist sulmin ndaj prokurorit të Gjykatës së Vlorës, Albert Kuliçi. Në reagimin zyrtar, KLP njofton se pasi është informuar mbi ngjarjen, ka zhvilluar një mbledhje urgjente u vendos që Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes.Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shenjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit. Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit posaçëm hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon Z. Kuliçi dhe të gjithë trupën e prokurorëve të vazhdojnë luftën pa kompromis kundër krimit", njofton Këshilli.

Ora 12:48
Kreu i Gjykatës së Vlorës, reagon për sulmin ndaj prokurorit Kuliçi: Veprim burracak, ata që kanë vjedhur pronat nuk do t'i gëzojnë

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, ka dënuar aktin dhe e ka cilësuar një gjest frikacak prej burracakësh sulmin me tritol ndaj makinës së prokurorit, Kuliçi sot në Vlorë. Ai ka shtuar se prokurori Kuliçi është një nga më të mirët e Prokurorisë së Vlorës. Haluci ka bërë edhe një paralajmërim për sa i përket atyre që kanë vjedhur pronat publike, duke thënë se këto prona nuk do t'i gëzojnë.

" Jemi në mbështetje të tij dhe për ta mbështetur në aktivitetin e tij si prokuror.  Nuk ka asnjë lidhje tjetër vetëm nga detyra. Është ngjarje shumë e shëmtuar prej frikacakësh  e burracakësh që veprojnë me maska dhe me tritol. Ne do të përgjigjemi me akte dhe me dënime. Nuk tërhiqemi. Gra e burra në Prokurinë dhe në Gjyqësorin e Vlorës punojnë natë e ditë vetëm për të zbatuar ligjin. Janë disa raste që goditet gjyqësori. Po goditet gjyqësori edhe me baltë jo vetëm me tritol. Siguroj qytetarët e Vlorës që kanë vu dorë, dhe kanë grabitur prona të qytetarëve të Vlorës nuk kanë për t'i gëzuar. Ka lidhje me ngjarje konkrete dhe jo konkrete. Janë më shumë se 4 milion euro të sekuestruara. Ajo është e vetmja pistë. Kam  shumë besim se ngjarja do të zbardhet." tha Haluci.

Ora 10:51
Si ndodhi ngjarja në Vlorë, autori i maskuar hodhi pakon me eksploziv dhe e shpërtheu pas 30 sekondave

1576913680_1576911918albertKulici7.jpg
Detaje të reja kanë dal në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Vlorë, ku makinës së Prokurorit të gjykatës së këtij qyteti, Albert Kuliçi, iu vu tritoli nga një person ende i pa identifikuar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin i cili ishte i maskuar dhe ka vepruar me shpejtësi.

Fillimisht ai ka lënë makinën e tij në një rrugicë paralele me vendin e ngjarjes dhe më pas është drejtuar me qetësi për tek makina e prokurorit. Ai ka hedhur një pako me eksploziv dhe më pas është larguar me shpejtësi. Pas 30 sekondave lënda plasëse është aktivizuar dhe ka shpërthyer duke shkatërruar makinën e prokurorit Kuliçi. Autori ka mundur të largohet duke përfituar  nga ora dhe errësira. Edhe pse po punohet për gjetjen e tij, autori ende nuk është identifikur.

Ora 09:26
Kamerat e sigurisë filmojnë autorin që vendosi tritolin, 'fiksimi' i hetimit për prokurorin Kuliçi, falsifikimet e pronave dhe krimi financiar

Prokurori i Vlorës Albert Kuliçi, i shtohet listës së njerëzve të Drejtësisë, që sulmohen në Vlorë nga eksponentë të krimit të organizuar. Mëngjesin e të shtunës, rreth orës 02:50, makina e tij “Golf 5”, është shkatërruar totalisht nga një shpërthim i fuqishëm. Mjeti ishte i parkuar pranë banesës me qira, ku qëndron prokurori Kuliçi në Vlorë. Veç detyrës së prokurorit, Albert Kuliçi, ushtron prej disa vitesh dhe funksionin e zv/drejtuesit të prokurorisë së Vlorës. Pas shpërthimit të fuqishëm në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë së Vlorës, të cilat kanë filluar procedurat hetimore, ku të parat që janë sekuestruar janë disa pamje filmike të kamerave të instaluara në rrugën ku ka ndodhur shpërthimi i tritolit. Një burim nga policia tha për “Shqiptarja.com” se kamerat kanë arritur të kapin autorin edhe gjatë momentit të afrimit dhe largimit.

Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje prokurori Albert Kuliçi dhe disa persona të tjerë. Ndërkohë ngjarja është klasifikuar se ka lidhje me detyrën e tij të prokurorit. Veprimet e para hetimore të kësaj ngjarje po kryhen në Vlorë. Kuliçi është prokuror magjistrat dhe karrierën e tij, e ka nisur pikërisht në qytetin e Vlorës. Targeti i çështjeve që heton Kuliçi nuk janë vrasjet dhe krimet e rënda në Vlorë, por falsifikimet e pronave dhe krimi financiar. Kujtojmë që gjatë kësaj kohe, Kuliçi ka hetuar dhe çuar në gjykatë një sërë dosje penale, përfshirë këtu dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, të cilin e ka marrë të pandehur për lejet në Vlorë dhe konçesionin e parkimit të makinave në 14 rrugët kryesore në qytetin e Vlorës.

Veç kësaj çështje Albert Kuliçit ka hetuar një sërë dosjesh, që kanë si subjekt zyrtarët e hipotekës së Vlorës dhe personat që kanë tjetërsuar mijëra metra katror tokë në bregun e Vlorës, kryesisht në Karaburun, Rradhimë dhe zonën e Zvërnecit. Momentalisht një dosje e nxehtë që ndodhet në dorën e prokurorit Albert Kuliçi, është ajo me të pandehurin Pëllumb Petritaj, ku prokurori Kuliçi 6 muaj më parë gjatë dhënies së pretencës për këtë të pandehur kërkoi në gjykatë deklarimin fajtor dhe dënimin e Petritaj me 28 vite burgim, për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ky process gjyqësor ka pasur shumë debate në sallën e gjyqit dhe se tashmë kjo çështje ka mbetur e pa përfunduar për shkakun se mbrojtja e të pandehurit ende nuk ka dhënë konkluzionet e saj. Gjatë kësaj faze, prokurori Kuliçi kërkoi riarrestimin e Pëllumb Petritaj, kërkesë e cila u miratua nga gjykata, por u rrëzua nga gjykata e Apelit Vlorë.

Ora 08:32
Kush është Albert Kuliçi, 'dosjet e nxehta' nga hetimi për Gjikën tek rikthimi në burg i biznesmenit për tjetërsimin e 100 ha tokë në Zvërnec

1576913680_1576911918albertKulici7.jpg

Makina që mëngjesin e sotëm shpërtheu me tritol në lagjen '28 Nëntori' në Vlorë i përket, Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë. Prokurorit në fjalë ka një karrierë të mbushur me dosje të nxehta hetimor.  

Një nga këto dosje është për ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe 7 të pandehurit e tjerë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë Vlorë. Gjika në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Ardian Musta në cilësinë e nën/kryertarit dhe zyrtarët e tjerë si Ilir Banushi, Arben Beqiraj,Taulla Zanaj,Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Petro Thanasko, ishin vënë në akuzë nga prokuroria e Vlorës për çështjen e konçesionit 15-vjeçar të parkimeve në rrugët e Vlorës. Në muajin shkurt 2019 prokuroria e Vlorës (Albert Kuliçi)  ngrit ndaj të pandehurve të mësipërm akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke dërguar dosjen në gjykatë.

Ndërkohë një nga dosjet më të fundit që Kuliçi kishte në dorë është edhe ajo për  për tjetërsimin e 100 hektarëve në zonën e Akërnisë në Vlorë ku është arrestuar biznesmeni Pëllumb Petritaj. Ai fillimisht u arrestua në tetor të 2018 dhe  në maj 2019 u la i lirë me garanci pasurore prej 25 milion lekë të vjetra. Por Petritaj u riarrestua më 14 nëntor nga policia e Vlorës pas kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes Albert Kuliçaj.