Triumfet që nuk e trimërojnë ende Bashën

Triumfet që nuk e trimërojnë ende Bashën

Ka disa triumfe të shpallura nga Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kohët e fundit. Nuk e kam fjalën për atë triumfin e Mond Spahos për fitoren e Ajaksit ndaj Juventusit, por për atë që Lulzim Basha po e shpall si triumf të paralajmërimeve të tij për rivendosjen e vizave me Holandën.

Ka prej vitit 2017 që ka lobuar për këtë mocion, dhe më në fund e ka arritur. Të gjithë jemi gati t’ia quajmë fitore, edhe pse lë një shije të hidhur. Dhe kur ja quajmë fitore, nuk ka nevojë të justifikohet se ai nuk është holandez, se dhe ai vuan si gjithë shqiptarët, pasi vajzat nuk i ka në shkollë në Holandë, por në Tiranë. Në Holandë shkolla është pa para, kurse shkolla e dy vajzave të Lulzim Bashës në Tiranë kushton 40 mijë dollarë në vit, pasi është shkolla më e shtrenjtë për fëmijët e të huajve në Tiranë. Në Holandë do t’i kishte rënë më lirë.

Para triumfit të Holandës, pati dhe triumfin e sondazhit. Dhe ai e bëri me krah. Sido që ta llogarisje, dilte fitues. Nuk ka lehtësi më të madhe për një opozitë në krizë, se sa një lajm i tillë, qoftë dhe i sajuar.

Protesta po ashtu u quajt triumf i madh, biles më i madhi në historinë e protestave. U fitua beteja me gazin lotësjellës, dhe u arrit të intonohet më mire zëri tek “Himni i Flamurit”.

Në mes të asaj rrëmuje, në Aeroportin e Rinasit, një bandë e mirëorganizuar nga një djalë nga Tropoja, i afërt me PD, arriti të zhdukë mbi 6 milionë euro, duke u vrarë dhe vet. Policia ende nuk i ka kapur hajdutët, ndërsa debati publik për sigurinë e Aeroportit është duke vazhduar. Edhe ky është një triumf i akuzave të opozitës.

Nuk dua të vazhdoj të shtyhem më tej në kohë për të analizuar triumfet e shpallura të Lulzim Bashës, se dhe kaq mjaftojnë, që një opozitë të hyjë në zgjedhje dhe ta flakë tej shumicën.

Tani, nëse Lulzim Basha arriti të na rikthejë vizat me Holandën, të dalë mire në sondazhe, të bëjë protesta madhështore, të faktojë që qeveria nuk mbron dot lekët e bankave dhe Aeroportin kombëtar, nuk e di pse ka frikë të hyjë në zgjedhje.

Në vend që të harxhojë energji të hyjë në komisionin e reformës zgjedhore, të diktojë rregullat e lojës dhe të hyjë në zgjedhje lokale, përgjon gjithë ditën mos opozita e re, kandidon njerëz në zgjedhje, apo tenton të hyjë në to.

Tani ose këto triumfet e Lulzim Bashës janë reale dhe ai duhet të hyjë në zgjedhje e të mundë Edi Ramën, ose ai tani ka mbërritur tek pika që gjënjen dhe veten, për të fjetur i qetë, meqë nuk do të hyj në zgjedhje.

Por jo gjithë opozita ka qetësinë e Lulit për gjumë. Shumë prej tyre nuk i zë gjumi, pasi nuk e kuptojnë dot, se si kanë gjithë këto suksese, por prapë nuk po hyjnë në zgjedhje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë