Triumfi i San Suu Kyi, nga
e burgosur në deputete

Triumfi i San Suu Kyi, nga <br />e burgosur në deputete
TIRANE – Partia më e madhe opozitare në Birmani, Lidhja Kombëtare për Demokracinë, e Aung San Suu Kyi, ka fituar në 40 prej 44 qendrave ku kishte prezantuar një kandidat. Një prej tyre është edhe vetë liderja San Suu Kyi e cila ka triumfuar në zonën e saj elektorale.

Në bazë të Kushtetutës, një e katërta e parlamentarëve janë ushtarakë, të zgjedhur jo përmes zgjedhjeve.

Është “fillimi i një epoke të re”. Kështu liderja e opozitës birmane komentoi zgjedhjen e saj në Parlament dhe triumfimin e Lidhjes Kombëtare për Demokracinë, në një fjalim në selinë e partisë.

“Nuk ishte edhe aq një triumf i yni, sesa një triumf i atyre që vendosën të marrin pjesë në procesin politik të këtij vendi”, tha Suu Kyi. “Ajo që është e rëndësishme nuk është numri i qendrave elektorale që morëm, ndonëse jemi shumë të lumtur që fituam kaq shumë, por që njerëzit tregojnë shumë entuziazëm në pjesëmarrjen në procesin demokratik”, shtoi ajo.

NGA E BURGOSUR NE DEPUTETE
Nga shtëpia-burg ku jetonte në Parlament, në më pak se një vit e gjysmë: Aung San Suu Kyi kurorëzon sot mbi 20 vjet sakrifica personale për çështjen birmane, duke marrë një fitore të pastër në zonën fshatare ku kishte kandiduar.

Por siç përmendi edhe ajo disa herë, suksesi elektoral nuk do të thotë se objektivi i saj u arrit. Birmania gjendet vetëm në fillim të rrugës që çon drejt demokracisë. Ajo që ishte një perspektivë e largët në nëntor 2010, kur u lirua pas 7 vitesh arrest-shtëpie (dhe 15 prej 22 viteve të mëparshme të kaluara në qeli), u bë realitet falë një përshpejtimi të reformave kur Suu Kyi, 66 vjeç, takoi presidentin Thein Sein, gushtin e kaluar. Që atëherë, liderja e opozitës ka theksuar shpesh besimin që ka tek ish-gjenerali, i cili e ka përfshirë gjithnjë e më shumë në dinamikat politike.

Zgjedhja e “Zonjës” – siç thirret me respekt nga birmanët – do t’i japë më shumë legjitimitet ndërkombëtar “rrugës së re” të nisur nga Thein Sein, që mund të shoqërohet nga një lehtësim gradual i sanksioneve të aplikuara nga SHBA dhe Bashkimi Europian.

Opinioni i deputetes së ardhme me siguri që do të dëgjohet me kujdes nga Perëndimi që dëshiron të rifitojë influencën në një vend të braktisur në favor të Kinës. Për të hipotizohet edhe një detyrë qeveritare, ndoshta në fushën e marrëdhënieve me jashtë; një mundësi mbi të cilën Suu Kyi nuk ka folur qartë. Por duke takuar ministra të Jashtëm, diplomatë, investitorë të huaj, thuhet se de facto në muajt e fundit ajo është sjellë si një ambasadore.

Nëse rruga drejt demokracisë do të vazhdojë përpara dhe nëse Lidhja Kombëtare për Demokracinë fiton zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015, atëherë për të mund të hapen edhe dyert e presidencës.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Kryepolici Proda emëron 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet

Kryepolici Proda emëron 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet