Triumfi në Itali, Alfred Mirashi 
"Pse e bëra Milotin emër arti"

Triumfi në Itali, Alfred Mirashi <br />
TIRANE- U largua drejt Italisë si shumica e shqiptarëve të suksesshëm në botë, me atë anijen e marsit të vitit 1991, në kërkim të ëndrrës, të shpresës. Bashkë me të qarat e fëmijëve, frikën dhe akthin e nënave ishte nisur drejt një fati të panjohur...

Alfred Mirashi, as që mund ta mendonte se një ditë do të kthehej në Shqipëri me një emër të madh si artist apo si kurator i një bienaleje prestigjioze të Italisë, për të cilën është munduar ta sjellë në atdheun e tij. Bëhet fjalë për Bienalen e Torinos, “Stemperando”, që qëndron ende e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ku Alfred Mirashi- Miloti ka edhe veprat e tij.

Alfred Mirashi ka lindur në një qytezë të vogël të Shqipërisë, emrin e të cilit e ka kthyer në emrin e tij të artit, Milot. E ndjen se nga Miloti ka marrë me vete zemërbardhësinë dhe dashurinë për ngjyrat e jetën. Edhe pse familja e tij ka vuajtur nga diskriminimi klasor në diktaturë, sepse ishte shpallur “familje kulakësh”, Miloti rrëfen se asnjëherë nuk u ndje i tillë nga njerëzit e këtij qyteti. Miloti në kohën e dikaturës ishte qyteza që mblidhte njerëz nga e gjitha Shqipëria, sidomos nga zonat veriore. Në fantazinë fëminore të tij kanë mbetur kostumet entografike të mirditorëve e zadrimorëve, ku gërshetimi i ngjyrave me elementët dekorativë ishte art më vete. Aktualisht artisti shqiptar, Alfred Mirashi-Miloti, jeton në qytetin e Firences, i njohur ndryshe edhe si qyteti i artit. 

Është kthimi i tij i parë i artistit në atdhe me vepra, ndërkohë që në vende të tjera të Europës pikturat dhe skulpturat e tij janë ekspozuar prej vitesh. Disa strehohen në galeri e koleksione arti dhe shumë të tjera janë vlerësuar me çmime prestigjioze. Një ndër to është edhe vepra “Çelësi” i Milotit” që fitoi Medaljen e Artë në Londër: një çelës që tregon hapjen filozofike, ku siç kuptojmë nga kjo intervistë, Alfred Mirashi është është brumosur me këtë cilësi që fëmijë. Për “Shqiptarja.com” artisti rrëfen udhëtimin e tij artistik, gjatë cilit mban me krenari emrin Miloti, emrin e vendlindjes së tij. 
 
Prej vitesh, ju Alfred, jeni njohur me emrin e artit Miloti, emri me të cilin jeni bërë i njohur në Itali. Pas sa vitesh ktheheni me krijimtarinë tuaj në Shqipëri?
-Në Shqipëri unë vij çdo vit, por me veprat vij po vij për herë të parë së bashku me bienalen e letrës “Stemperando”. Për mua është megjithatë një kthim në Shqipëri, si fitimtar, sepse prej vitesh unë nuk kisha të drejtë të bëja Akademinë e Arteve në vendin tim, për shkak se vija nga një familje kulakësh dhe ju e dini sesi ishte historia e luftës së klasave të kombit tonë, të vendit tonë, për fat të keq. Por unë megjithatë e dua vendin tim dhe kthehem këtu i lumtur se arrita të sjellë në vendin tim një bienale ndërkomëbtare që bëhet vetëm në territorin italian. Dhe kjo nuk ishte aq e lehtë.
 
Ju keni ikur si shumica e artistëve shqiptarë, që u shquan më pas në Itali, me anijen e famshme të ‘91-shit. Ishte një ikje historike. Jemi kurioz të dimë sesi i keni kapërcyer vështirësitë e mërgimit për të arritur tek ëndrra jote në Itali?
-Në vitin 1991 unë isha në Durrës dhe aty kisha shansin që të nisesha me atë anije në Itali. Sa shkova atje punova dhe ëndrra ime ishte që sa të siguroja pak të ardhura të bëja një akademi arti. Zgjodha Akademinë e Brerës. Për mua ishte fat i madh, jo se akademitë e tjera janë më poshtë në Itali, por Akademia e Brerës është e famshme tashmë për emrat e mëdhenj të artit që ka nxjerrë. Në vite 2000 unë fillova ekspozitat e para Brera dhe aty sikur m’u hapen rrugët.

Ëndrra që kisha që në Shqipëri filloi të bëhej realitet, që kur fillova studimet në Akademinë e Brerës në Milano, ku pata fatin të njihja artistët dhe kritikët më të mirë të artit italian. Falë dëshirës dhe impenjimit tim arrita të fitoj bursën “Erasmus” në Angli, e cila më mundësoi mua një njohje të muzeve e artit botëror. Kur shkova në Londër mësova dhe gjuhën angleze. Por ato që më shkojnë në mendje është se çdo gjë nuk arrihet lehtë dhe me sakrifica do të arrija këtu.

Thuhet që një njeri në çdo vetë është artist dhe kështu që e merreni mend se çfarë sakrificash duhen për të arritur një individualitet të spikatur. Megjithatë, mendoj se etapa e zhvillimit si artist ka qenë ajo e Akademisë së Brerës, e kjo falë faktit se aty kishte shumë studentë nga e gjithë bota.

Çdo njëri prej studentëve tregonte eksperiencën e vet në art. Në fund të vitit të katërt, në muzeun e artit modern në Milano pata fatin e madh që fitova çmimin e parë mes 4.000 studentëve të pikturës. Unë u rrita si artist duke marrë pjesë nëpër ekspozita, duke vizatuar, pikturuar e duke bërë skulptura. Tani kam fatin të jetoj në Firence. Firenze më ka fryëmzuar shumë sepse çdo rrugë ka skulptura, ka një arkitekturë të mahnitshme. Unë kam një skulpturë që quhet OPEN, me të cilën u prezantova në Venezia dhe tani ndodhet në Muzeun Internacional në Portofino.
 
Pse zgjodhët emrin e artit Milot?
-Kur kam filluar studimet në Itali, për shqiptarët nuk kishte një imazh të mirë. Dëshira për të treguar se si shqiptar unë nuk kisha asgjë për të cilën duhet të turpërohesha, më solli ndër mendje idenë që të vendos si emër arti emrin e qytetit Milot, sepse e gjithë ajo që unë isha si artist në Itali, ishte falë qytetit ku u linda e u rrita. Veç kësaj, unë e adhuroj Karavaxhon dhe duke ditur se ai mbante emrin e vendlindjes, mendova ta vendos edhe unë emrin tim Milot.

Mendova, ku i dihet, mund t’ia dalë të kem sukses dhe bashkë me emrin tim ngelet dhe emri i vendlindjes. Unë në Milot kam lindur dhe aty kam kalur fëmijërinë. Ndoshta atëherë nuk kisha interesa artitistike, por unë aty kam përjetuar të gjitha emocionet dhe mbresat njerëzore që të bëjnë një ditë artist me vepra. Miloti për mua ka qenë edhe një vend i larmishëm, ku ishte shembulli i të jetuarit bashkë myslimanë e katolikë, me jevgjit e romët. Ishte vendi ku kultura e zakone të ndryshme sillnin një larmi të madhe në këtë bashkëjetesë.

Ditën e pazarit në Milot, unë me kureshtje shihja etnografinë e veshjeve të mirditorëve, zadrimorëve, etj. Në Milot unë mësova dashurinë për ngjyrat, për shijet dhe preferencat e ndryshme të një filozofie jetësore pa paragjykime. Kostumet kombëtare i shihja me dashuri dhe kuriozitet. Më tërhiqte larmia dhe veçantia e gjithësecilit kostum që përfaqësonte një popullsi ose kulturë të zonave të caktuara.

Edhe nëna ime vet qëndiste shumë bukur. Nga duart e saj dilnin figura që më dukeshin magjike. Me vite pune, tek unë zgjohen këto motive, këto mbresa dhe bëhen pjesë e veprës sime. Unë mund të them se ajo që arrita në punë vjen me vite pune. Fakti që unë iu dedikova artit pa forma idologjike apo partiake, më ndihmoi në Itali të punojë pa kufizime dhe arrita të vlerësohem mes artistëve të botës atje.
Alfred Mirashi
































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rreth 4% më shumë nga 14 Maji 2023

Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rreth 4% më shumë nga 14 Maji 2023