Në një garë të mbushur plot adrenalinë dhe rivalitet të fortë sot në Krujë u zhvillua dita e dytë dhe finalja zyrtare e garës ndërkombëtare malore Trofeu Skënderbej 2026, nën organizimin e FASA-s, Federatës Shqiptare të Sporteve të Automobilizmit dhe Auto Club Albania, me vlefshmëri për kampionatin e FIA CEZ.
Në pistën malore të Krujës, piloti shqiptar Gentian Shaqiri, në timonin e Tatuus, konfirmoi dominimin e tij duke triumfuar në renditjen e përgjithshme me kohë totale 4:31.034, pas dy ngjitjeve zyrtare, duke lënë pas rivalët dhe duke siguruar trofeun e këtij edicioni.
Në vendin e dytë u rendit piloti serb Uros Brkic me Osella PA 21, me kohë totale 4:47.082, ndërsa podiumin e plotësoi piloti kosovar Bardhyl Canolli me Radical SR8, me kohë 4:49.696.
Një garë shumë të fortë zhvilluan edhe pilotët nga Kosova, me Belkim Fazliu që përfundoi në vendin e katërt me Renault Megane RS3, ndërsa Kushtrim Bytyçi u rendit i pesti me Renault Clio.
Eventi solli pjesëmarrje ndërkombëtare nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, duke e kthyer edhe një herë Krujën në epiqendrën e automobilizmit malor në Ballkan.
Ky edicion i Trofeut Skënderbej konfirmoi nivelin e lartë të garës dhe potencialin e sportit motorik shqiptar për të tërhequr pilotë dhe publik nga e gjithë rajoni.
1-Gentian Shaqiri (Shqipëri) – Tatuus – 4:31.034
2-Uros Brkic (Serbi) – Osella PA 21 – 4:47.082
3-Bardhyl Canolli (Kosovë) – Radical SR8 – 4:49.696
Komente






