Tropojë-Një 26-vjeçar i cili kishte dalë për të mbledhur gështenja bashkë me nënën e tij, në vendin e quajtur “Kamenicë” rezulton i zhdukur që prej ditës së djeshme.
Prej më shumë se 24 orësh vijojnë kërkimet për 26-vjeçarin nga Bajram Curri, i cili ka humbur kontaktet me familjarët në zonën malore të Tropojës, në masivin pyjor me gështenja. Burime bëjnë të ditur se i riu, që vuan nga probleme të shëndetit mendor, është zhdukur pa lënë gjurmë dhe pa pasur me vete telefon, çka e vështirëson ndjeshëm lokalizimin e tij.
Dyshohet se 26-vjeçari mund të jetë futur në territorin e Kosovës, pasi vendi ku është parë për herë të fundit ndodhet pranë kufirit. Sipas dëshmitarëve, 26- vjeçari po ruante thasët e mbushur me gështenja përpara se të largohej në mënyrë të papritur.
Familjarët e shtetasit F. T., 26 vjeç, banues në Bajram Curri, kanë bërë kallëzim në polici duke raportuar se ai është larguar një ditë më parë, ndërsa ndodhej me nënën e tij në vendin e quajtur “Kamenicë”, gjatë mbledhjes së gështenjave.
“Sot, në Komisariatin e Policisë Tropojë, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit F. T., 26 vjeç, banues në Bajram Curri, se dje, 26-vjeçari, gjatë kohës që ka qenë duke mbledhur gështenja bashkë me nënën e tij, në vendin e quajtur “Kamenicë”, është larguar dhe ka humbur kontaktet me të”, njoftoi sot policia
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, ekipin e kërkim-shpëtimit dhe banorët e zonës, po vijojnë kontrollet intensive në zonë, nga toka dhe me dron, për gjetjen e tij.
Komente









