Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që të thërrasë të gjithë anëtarët e klubeve, të cilat dyshohen se kanë lidhje me fiksimin e ndeshjeve të javës së 19-të të Superiores, Flamurtari – Teuta, Vllaznia – Kukësi dhe Laçi - Partizani.

Kryetari i Komisionit të Etikës, Fatmir Braka dhe anëtarët në mbledhjen e ditës së martë janë njohur me raportet e gjyqtarëve, delegatëve, vëzhguesve dhe pamjet televizive, ndërsa tashmë do të njihen edhe me deklaratat e anëtarëve të klubeve.

Ndërkohë që prokuroria e Vlorës u ka nisur letër porosi 7 kompanive të basteve në Shqipëri të marrë informacion për lëvizjen e koeficentëve dhe shumat që janë luajtur, të cilat sipas burimeve nga organi i akuzës janë në miliona Euro.


Deklarata e plotë
Komisioni i Etikës pranë Federatën Shqiptare të Futbollit, është mbledhur sot për të shqyrtuar në lidhje me ndeshjet e përfolura të javës së 19- të, të Kategorisë Superiore Flamurtari – Teuta dhe Vllaznia – Kukësi dhe Laçi - Partizani.

Anëtarët e tij, të mbledhur në ora 14.00, në ambientet e Federatës, janë njohur me materialet filmike dhe raporte të zyrtarëve të ndeshjeve, për zhvillimin e tyre.

Pasi kanë diskutuar në lidhje me to, Komisioni i Etikës, ka vendosur që të thërrasë në pyetje të gjithë anëtarët e klubeve përkatëse, që mendohet se mund të japin dëshmi të vlefshme në lidhje me këto takime.
Pas marrjes së këtyre dëshmive, Komisioni i Etikës, do të rimblidhet përsëri, ditën e hënë ora 14.00.


d.balla/shqiptarja.com