Trukimet, Korça peticion UEFA-s:
Mos na dënoni, jemi të ndershëm

Trukimet, Korça peticion UEFA-s:<br />Mos na dënoni, jemi të ndershëm<br>
Qytetarët e Korçës kanë nisur firmosjen e një peticioni drejtuar UEFA-s ku i kërkojnë që të mos e dënojë ekipin e Skënderbeut për trukime. Ata shprehen se nuk mund të dënohet një qytet i tërë, pasi futbolli për Korçën është me shumë se një lojë, është besim.

Në peticion jepen disa argumente se përse nuk duhet që të dënohet Skënderbeu. Qytetarët korçarë mohojnë kërcënimet në drejtim të zyrtarëve të UEFA-s dhe fiksimet e ndeshjeve. “Ne asnjë rast në gjithë historinë e skuadrës nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me lojën e pandershme. Të gjithe i njohin korçarët për njerëz korrektë me ligjin, që respektojnë rregullat e lojës.

Ndaj edhe për këtë sigurojmë se asnjë kërcënim nuk mund të vijë nga qytetaria e Korçës” mbyllet reagimi.  Inspektorët e UEFA-s kërkuan pak ditë më parë që Skënderbeu të dënohet me 10 vite përjashtim pasi akuzohet për fiksimin e mbi 50 ndeshjeve. Ndërsa pak ditë pas pretencës u kërcënuan me vdekje inspektorët.

PETICIONI I KORÇAREVE DREJTUAR UEFA-s
Përmes këtij peticioni duam t'i kërkojmë UEFA-s jo vetëm që të mos dënojë ekipin e Skenderbeut, pasi ne jemi të bindur tek cilësitë dhe vlerat e padiskutueshme të skuadrës dhe përkushtimit sportiv e moral të ekipit dhe drejtuesëve, por edhe të marrin fund spekullimet ndaj këtij ekipi që është shndërruar në krenarinë evropiane të një vendi të tërë! Ky është një peticion që drejtësia të mos veprojë, si zakonisht, si një tren që vjen kurdoherë me vonesë, por të marrë sinjale reale sidomos nga ne tifozët, që futbollin e shohim si një art që respektohet në adhurim!

Futbolli për Korçën është me shumë se një lojë, është besim. Kur mbaron ndeshja e futbollit, kur përfundojnë nëntëdhjetë minutat e kohës së rregullt, ajo çka mbetet është pasioni dhe gëzimi, bindja që lojtarët në fushë kanë dhënë gjithcka për të respektuar fanellën që veshin! Qyteti i Korçës jeton me futbollin. Jemi Skënderbeu dhe kjo skuadër nuk është thjesht një emblemë, është një histori e tërë lavdie dhe krenarie.

Në 8 vitet e fundit Skënderbeu ka qenë gëzimi i një qyteti. Në Korçë të gjithë kanë besuar dhe besojnë tek loja e ndershme e kësaj skuadre, e cila ka fituar 6 (gjashtë) Kampionate Kombëtare dhe ka marrë pjesë 2 (dy) herë në grupet e Europa League. Kemi nevojë për mbështetje dhe jo për një dënim, pasi ky do te ishte një dënim jo vetëm i të gjithë futbollit shqiptar, por i çdo tifozi dhe të apasionuari pas futbollit, që vlerëson ndershmërinë e futbollistëve që japin shpirtin në fushën e blertë. Nëse ndiqet rruga e dënimit të pamerituar e të mbështetur mbi spekullime, ka për t’u ndëshkuar një qytet i tërë, një histori krenarie e futbollit shqiptar në vitet e fundit.

Drejtësia dhe e duhura është e tillë edhe kur ngrihen zëra kundër që kërkojnë të hedhin dyshime të pabaza. Prandaj, me respekt ju kërkojmë të mos na e hiqni këtë histori suksesi. Skënderbeu u krijua në vitin 1909 por vetëm në vitin 2015 mundi që të afrohet në familjen europiane, duke bërë që ne si qytetarë të mund ta prekim këtë endërr. Arritjet e Shqipërisë në futboll janë shumë të varfra, aq sa kujtohen vetëm 2 momente kryesore: Kualifikimi historik i Kombëtares Shqiptare të futbollit në kompeticionin madhor Euro 2016 dhe përfaqësimi i 2-fishtë i Skënderbeut në Europa League. Në kohën kur UEFA kërkon të zgjerojë futbollin në çdo shtet, dënimi i Skënderbeut do të sillte një goditje të rëndë për futbollin në Shqipëri, duke e detyruar padrejtësisht që gjithçka të rinisë nga e para.

Futbolli Shqiptar falë mbështetjes së UEFA-s po i afrohet standardeve më të mira evropiane, Skënderbeu në gjithë këtë histori nuk është lakuar por është skuadra që ka zbatuar pikë për pikë çdo rregull, duke krijuar një frymë pune vizionare që shikon tek ndershmëria sportive kushtin për të triumfuar në sport.

Skënderbeu për Korçën është gjithçka, ndaj dhe ne sot kërkojmë drejtësi, vlerësim të djersës së derdhur ndershmërisht në fushë nga lojtarët në vite dhe jo dënim!

Skënderbeu nuk ju përket vetëm korçarëve por është skuadra e gjithë shqiptarëve. Në asnjë rast në gjithë historinë e skuadrës nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me lojën e pandershme.

Na ndihmoni të ecim përpara në këtë rrugë europiane! Na jepni të drejtën dhe drejtësinë!

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron