President Donald Trump ka konfirmuar se do të vizitojë Kinën në prill të vitit 2026, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara më vonë gjatë vitit. Sipas Sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, gjatë vitit 2026 mund të ketë deri në katër takime dypalëshe mes dy vendeve.

Në një intervistë për Report TV, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, e lidh këtë zhvillim me mënyrën se si Kina ka ndërtuar fuqinë e saj ekonomike dhe politike ndër vite.

“Gjithçka po ndodh lidhet me një element shumë të rëndësishëm gjeopolitik, gjeoekonomik dhe gjeostrategjik. Kina e përdori ringritjen ekonomike në mënyrë të zgjuar hapjen që u krijua që në vitet ’80 pas diplomacisë së Ping-Pongut në kuadrin e Luftës së Ftohtë. Qytetërimi kinez funksionon ndryshe. Kina u tregua e zgjuar, kapi momentin dhe u shkëput drejt një ngritjeje ekonomike duke sfiduar Perëndimin”, tha ai.

Sipas Kamberit, hyrja e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë ishte pika e kthesës që i dha Pekinit avantazh të madh ekonomik.

“Pas hyrjes së Kinës në OBT, të gjitha mundësitë u shumëfishuan dhe pati zhvendosje të industrive të caktuara në Kinë. Tani Kina është elefanti në dhomën e diplomacisë botërore, në kuptimin e fuqisë ekonomike. Proteksionizmi ekonomik i Trump, nëpërmjet tarifave doganore, për shumë diplomatë u konsiderua si një mënyrë e paefektshme për kohën që jetojmë”, u shpreh ai.

Kamberi theksoi se Kina po përdor diplomacinë ekonomike dhe fuqinë e butë për të zgjeruar ndikimin global, përmes projekteve afatgjata.

“Kina është përpjekur që qasjen e diplomacisë së saj ekonomike ta mishërojë përmes projektit të Rrugës së Mëndafshit. Në këto 13 vjet, Kina po përpiqet që në politikën globale të përdorë atë që di të përdorë më mirë, pra fuqinë e butë, duke treguar se është e fuqishme financiarisht dhe mund të ndihmojë edhe vende të tjera për zhvillim. Investimet përgjatë Rrugës së Mëndafshit tregojnë se Kina po kërkon ndikim jo vetëm brenda Azisë, por edhe përtej”, tha ai. 

Duke komentuar edhe marrëdhëniet Britani e Madhe–Kinë, të nxitura nga vizita e kryeministrit britanik Keir Starmer në Pekin, Kamberi theksoi se ekonomia është faktori kryesor që po i shtyn liderët europianë drejt Kinës.

“Diplomacia ose politika është e përqendruar te ekonomia. E ardhmja politike e çdo lideri në Europë varet nga ekonomia. Ekonomia kineze po udhëheq në shumë drejtime dhe nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së liderëve të huaj. Pra ata kanë nevojë për tregun dhe kapitalin kinez, sidomos duke pasur parasysh tensionet me Trump”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Europa firmosi marrëveshje historike tregtare me Indinë, Kamberi për Report TV: Erdhi pas tensioneve me SHBA-në! BE-ja një gjigant ekonomik dhe një xhuxh politik