Rriten sërish tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës pasi, gati një vit pas kërcënimeve të para për aneksimin e Groenlandës, Donald Trump ka emëruar një të dërguar special për ishullin më të madh në botë. Bëhet fjalë për guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, veteran i ushtrisë dhe ish-polici, i cili ka qenë anëtar i Kongresit dhe prokuror i përgjithshëm i shtetit deri në vitin 2023.
Në të kaluarën, Landry ka shprehur mbështetjen e tij për idenë që territori i Danimarkës të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. “Presidenti Donald Trump ka absolutisht të drejtë! Duhet të sigurohemi që Groenlanda t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara. Shumë mirë për ta, shumë mirë për ne! Ta bëjmë!”, kishte shkruar ai disa kohë më parë në X. Dhe menjëherë pas emërimit, në një postim tjetër, falënderoi manjatin duke e quajtur “një nder të të shërbej për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.
Reagimi i Kopenhagenit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër: Danimarka thirri menjëherë ambasadorin amerikan dhe paralajmëroi Uashingtonin të respektojë integritetin e saj territorial. “Emërimi konfirmon se interesi amerikan për Groenlandën është ende i gjallë. Megjithatë, ne jemi të bindur fort se të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të respektojnë integritetin territorial të Mbretërisë”, deklaroi ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen. “Kjo është absolutisht e papranueshme. Për këtë arsye, në marrëveshje me kolegët tanë groenlandezë, kam vendosur të thërras ambasadorin amerikan për një bisedë,” shtoi ai. “Qëndrimi ynë është se kemi një ambasador pranë Mbretërisë së Danimarkës dhe ai është personi me të cilin mbajmë marrëdhënie”, theksoi ministri, duke nënvizuar se “kur Trump vendos papritur të emërojë një të dërguar special, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht”. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, por edhe gjatë mandatit të parë kur në vitin 2020 rihapi konsullatën në Nuuk të mbyllur që nga viti 1953, Trump ka shfaqur vazhdimisht interes për ishullin.
Shtetet e Bashkuara kanë një bazë në Groenlandë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi pushtuan territorin për të ngritur poste ushtarake dhe stacione radio pas pushtimit të Danimarkës nga nazistët gjatë konfliktit. Zëvendëspresidenti JD Vance vizitoi bazën në mars, duke i ftuar banorët e Groenlandës të “lidhin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”.
Në këtë mosmarrëveshje ka ndërhyrë edhe Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritet me Danimarkën, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paralajmëroi: “Siguria e Arktikut mbetet një prioritet themelor për BE-në, brenda të cilit synojmë të bashkëpunojmë me aleatët dhe partnerët”. “Integriteti territorial dhe sovraniteti”, shtoi ai, “janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare. Ato janë thelbësore jo vetëm për BE-në, por për kombet në mbarë botën. Ne jemi plotësisht solidarë me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës.”
//Ansa
Komente











