Donald Trump siguron se Amerika “do të marrë kontrollin” e Kubës “pothuajse menjëherë” dhe, sipas tij, mes entuziazmit të banorëve të ishullit, të cilët do të prisnin ardhjen e ushtrisë amerikane me krahë hapur, me një “Faleminderit! Dorëzohemi”. Pasi të “përfundojë punën” në Iran, tha presidenti amerikan, vëmendja e tij do të drejtohet nga Havana, e cila prej 67 vitesh është një gjemb në krah për Uashingtonin. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, përfundoi ai, mund të zhvendoset së shpejti drejt Karaibeve dhe të “ndalet rreth 100 metra nga bregu” i ishullit.
Pak para këtij njoftimi luftarak, gjatë një darke private në West Palm Beach, në Florida, Trump nxori një urdhër ekzekutiv që zgjeron sanksionet kundër Kubës dhe këtë herë godet edhe kompani dhe banka të huaja, pra të vendeve të treta, që kanë marrëdhënie tregtare me Havanën, duke pretenduar se qeveria e saj komuniste përbën “një kërcënim” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Se tensioni mes SHBA-së dhe Kubës ka arritur nivel maksimal alarmi, e tregon rikthimi në skenën publike i Raúl Castros, vëllai 95-vjeçar i Fidelit të ndjerë, i cili vazhdon të japë drejtimin në prapaskenë për politikat e regjimit. Udhëheqësi i moshuar mori pjesë në paradën tradicionale të 1 Majit, e cila këtë vit u zhvendos nga vendndodhja e zakonshme në Sheshin e Revolucionit drejt të ashtuquajturës “Tribuna anti-imperialiste”, një podium pranë ambasadës amerikane ku mbahen fjalimet më të rëndësishme politike.
Pas tij, vihej re prania e nipit të tij Raúl Guillermo Rodríguez, i njohur si “El Cangrejo” (Gaforrja), të cilit i është besuar detyra për të negociuar me delegatët e Sekretarit të Shtetit amerikan, Marco Rubio.
Presidenti Miguel Díaz-Canel publikoi një foto nga tubimi me komentin: “Të bashkuar, pranë njëri-tjetrit, kërkojmë paqe dhe rikonfirmojmë gatishmërinë tonë për dialog pa kushte. Frika nuk ka vend këtu”.
Qysh në janarin e kaluar, Trump kishte forcuar rrethimin shumëvjeçar ndaj Kubës, fillimisht duke bllokuar çdo eksport nga Venezuela – vend që, deri në kapjen e diktatorit Nicolás Maduro, ishte aleati më i fortë i Havanës – dhe më pas duke kërcënuar me tarifa shtesë vendet që furnizonin ishullin me naftë, si Meksika. Edhe atëherë, justifikimi zyrtar i administratës Trump ishte “kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare”, duke pretenduar se Havana lejon organizata terroriste si Hamas dhe Hezbollah të veprojnë në territorin e saj.
Shtrëngimi energjetik, i lehtësuar vetëm pjesërisht nga mbërritja muajin e kaluar e 100 mijë fuçive naftë bruto nga Rusia, e ka detyruar regjimin komunist të pranojë një fazë negociatash me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, e cila deri tani ka sjellë vetëm disa hapje të kufizuara në planin ekonomik, si lejimi i investimeve nga emigrantët kubanë në Miami dhe një amnisti të pjesshme që nuk ka përfshirë të burgosurit politikë më të rëndësishëm.
Sanksionet e shpallura të premten godasin, përmes bllokimit të llogarive bankare ose pasurive, këdo që operon në Kubë në sektorët e energjisë, minierave, mbrojtjes apo sigurisë, ose që ofron mbështetje materiale, financiare apo teknologjike për qeverinë kubane apo individë të tjerë të sanksionuar. Për herë të parë, bankat e huaja në mbarë botën – jo vetëm ato amerikane – që kryejnë ose lehtësojnë transaksione për qeverinë kubane apo entitete të tjera të sanksionuara, rrezikojnë të humbasin aksesin në dollarin amerikan.
Në shënjestër të Shteteve të Bashkuara janë edhe drejtues apo zyrtarë të lartë kubanë përgjegjës për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Kubë” ose për “përvetësim të paligjshëm të pasurive publike, shpronësim të pronave private për përfitim personal apo qëllime politike, apo korrupsion”.
Ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodríguez dënoi valën e re të sanksioneve amerikane, duke i cilësuar ato “të paligjshme dhe fyese”.
Një sinjal i rëndësishëm erdhi edhe nga Senati amerikan të martën e kaluar, i cili hodhi poshtë një propozim demokrat që synonte të kufizonte pushtetin diskrecional të presidentit për një operacion të mundshëm ushtarak në Kubë.
Nga ana tjetër, deklaratat luftarake të Trump mund të jenë të diktuara nga oportunizmi politik, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Tubimet në Florida, ku jeton komuniteti më i madh dhe më i fuqishëm i emigrantëve kubanë, si dhe shpallja e sanksioneve të reja, përkojnë me një nga nivelet më të ulëta të miratimit për Trump që nga ardhja e tij në presidencë. Një sondazh i Pew Research Center, i publikuar të premten e kaluar, tregon se popullariteti i presidentit ka rënë në 34%./ Corriere della Serra
Komente










