Marco Rubio do të ketë shumë çështje për të shpjeguar, aq sa nuk do ta ketë të lehtë të vendosë nga t’ia nisë. Fillimisht pritet të ndalet te Selia e Shenjtë (Vatikani), për të kaluar më pas te qeveria italiane. Të enjten dhe të premten e ardhshme ai do të jetë në Romë për një seri takimesh mes Selisë së Shenjtë dhe ekzekutivit italian, me një objektiv të qartë: “shkrirjen” e marrëdhënieve dypalëshe. Një mision i arritshëm, por jo me pak vështirësi.
Kjo është vizita e tretë e Rubios në Itali, pas asaj të majit të kaluar në Villa Madama dhe pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në shkurt, së bashku me J.D. Vance. Agenda romake e Marco Rubio nuk është mbyllur ende. Deri tani parashikohen tre takime. I pari do të jetë me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.
Donald Trump e ka cilësuar Papa Papa Leone XIV si “të dobët ndaj kriminalitetit” dhe “të tmerrshëm në politikën e jashtme”, madje duke i atribuar vetes edhe meritën për zgjedhjen e Robert Prevost në fronin papnor (“Po të mos isha në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte Papë”). Deklarata që kanë marrë përgjigjen e vet nga Papa: “Nuk jam politikan, do të vazhdoj të flas kundër luftës.”
Të nesërmen, Marco Rubio do të takohet me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, dhe po atë ditë do të ulet në një drekë pune edhe me ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto. Nuk përjashtohet, por ende nuk është konfirmuar, një takim kokë më kokë mes sekretarit amerikan dhe kryeministres Giorgia Meloni: “Dua ta takoj”, ka bërë të ditur ai. Mbetet edhe një pikëpyetje tjetër: a do ta presë Papa Leone XIV ?
“Zbarkimi” i Marco Rubios ishte paralajmëruar disa ditë më parë qeverisë italiane përmes një letre nga ambasadori amerikan Tilman J. Fertitta, i cili prej javësh po punon së bashku me homologun në Uashington, Marco Peronaci, për të rindërtuar “urën” mes Italisë dhe SHBA-ve. Kjo urë ishte tronditur rëndë nga sulmet (verbale) të Donald Trump ndaj Giorgia Meloni, e cila vetë është gjithnjë e më e vetëdijshme se sa e rrezikshme është bërë tashmë afërsia me manjatin amerikan. Dikur ishte një arsye krenarie, sot është kthyer në një lloj “kriptoniti”.
E bujshme dhe me pasoja ishte intervista e presidentit Donald Trump për Viviana Mazza të Corriere della Sera, më 14 prill: shtatë minuta sulmesh ndaj kryeministres Giorgia Meloni, mes personales dhe politikës, që bënë xhiron e botës (“Mendoja se kishte guxim, por gabohesha: jam i tronditur, nuk është më i njëjti person, nuk dëshiron të na ndihmojë”).
Fajin e ka edhe qëndrimi i Romës për luftën në Iran, por edhe mbrojtja që Giorgia Meloni i bëri Papa Papa Leone XIV (“Fjalë të papranueshme”). Që nga ai moment, pas javësh tensionesh (si rasti i Sigonellës) dhe qëndrimesh të kujdesshme nga ana e kryeministres, Donald Trump kaloi në sulm të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe vetë saj. Intervista dhe deklarata të ashpra vazhduan njëra pas tjetrës — një përshkallëzim i vërtetë. Deri te kërcënimi i dy ditëve më parë për të goditur “të këqijtë” e NATO-s që nuk po e mbështesin në Iran.
Prej andej erdhi edhe paralajmërimi i “mbretit të MAGA-s” për të tërhequr trupat amerikane nga Italia, Spanja dhe Gjermania. Një detaj i rëndësishëm: Italia strehon shtatë baza ushtarake, tepër strategjike, dhe mes 13 mijë e 15 mijë ushtarë amerikanë.
Në këtë kontekst, Marco Rubio shihet si “gjilpëra dhe fija”: do të përpiqet të rikthejë dialogun me Vatikanin dhe të rindërtojë lidhjet mes dy ish-aleatëve, Giorgia dhe Donald.
Dy liderët janë të destinuar të takohen në samitin e G7-ës në Evian të Zvicrës, brenda më pak se një muaji e gjysmë. Kur tensioni u bë publik, Giorgia Meloni nuk hezitoi të thoshte se e “priste” reagimin e Donald Trump, por njëkohësisht nuk i kurseu solidaritetin për atentatin e pësuar gjatë darkës së korrespondentëve dhe vlerësimin për përpjekjet në negociatat mes Libanit dhe Izraelit.
Të enjten dhe të premten në skenë hyn Marco Rubio: nëse kryeministrja do ta takojë — pavarësisht kufijve protokollarë, pasi nuk është homologu i saj — kjo do të ishte një sinjal i qartë. Në Palazzo Chigi, në këtë moment, askush nuk duket i gatshëm të bëjë “akrobaci” për të theksuar afërsinë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, i cili, sipas sondazheve, “nuk pëlqehet” nga mbi 80% e opinionit publik.
Megjithatë, marrëdhëniet diplomatike, ushtarake dhe tregtare janë një çështje tjetër — sidomos kur në anën tjetër është Amerika: kjo quhet politikë e vërtetë./CorrieredellaSera

Në fund, përplasja mes Shteteve të Bashkuara, më saktë mes presidentit Donald Trump, dhe Vatikanit të Papa Leones mund të zbutet, madje më shpejt nga sa pritej. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë, të enjten dhe të premten e ardhshme, e paralajmëruar nga Corriere della Sera, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takojë Papën më 7 maj.
Ky takim shihet si një mundësi për të “zgjidhur” tensionet e krijuara nga deklaratat e forta të Trump në javët e fundit, kur ai e akuzoi Papën se “nuk e kupton situatën në Iran” dhe e quajti “të dobët ndaj kriminalitetit” dhe “të paaftë në politikën e jashtme”.
Nga ana tjetër, edhe Vatikani synon ta mbyllë këtë kapitull, për të shmangur përçarje mes katolikëve amerikanë: shumica u rreshtua pa hezitim në krah të Papës, por pati edhe nga ata që mbështetën presidentin. Veçanërisht ndikoi edhe imazhi i krijuar me inteligjencë artificiale dhe i shpërndarë nga Trump, ku ai paraqitej si Jezusi duke shëruar një të sëmurë — imazh që më pas u fshi dhe u mohua nga vetë ai në aspektin “kristologjik”.
Ndërkohë, muajt e fundit është vënë re një rritje e konvertimeve në katolicizëm, sidomos mes të rinjve, shpesh të tërhequr nga forma më tradicionale të riteve fetare.
Për Rubion, kjo është vizita e tretë në Itali, pas asaj në majin e kaluar në Villa Madama dhe pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në shkurt, së bashku me J.D. Vance. Avokat, 55 vjeç, ish-senator i Floridës, ai është i pari me origjinë latino-amerikane (familja e tij vjen nga Kuba, por ai ka lindur në Miami) që mban postin e sekretarit të Shtetit në SHBA.
Së bashku me nënpresidentin Vance, ai ndan besimin katolik, të cilin e kishte braktisur në rini për t’iu bashkuar konfesioneve të tjera të krishtera — përfshirë edhe atë mormone — përpara se të rikthehej në Kishën Katolike.
Gjatë vizitës është planifikuar gjithashtu edhe një takim me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin./CorriereDellaSera
Komente







Nese papa dote ishte nji besimtare i korekte nuk duheshte tu japi doren femijvraserve dhe kjo vlen per sejcilin ,ne nji ane kritikojn nga ana tjeter drekojn ose darkojn se bashku dhe ky eshte karakteri i katolicizmit njerez me dy ftyra.
Përgjigju