Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Omanit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do ta bombardojnë vendin nëse pengon arritjen e një marrëveshjeje me Iranin për Ngushticën e Hormuzit.
Në një intervistë për gazetarin e Fox News, Trey Yingst, Trump u shpreh: “Nëse Omani na pengon, do ta bombardojmë deri në fund”, duke shtuar se Irani duhet të “ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit”.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike për transportin e energjisë në botë, është mbyllur nga Irani që prej 28 shkurtit, me nisjen e luftës SHBA-Izrael kundër Teheranit. Bregdeti iranian shtrihet në veri të ngushticës, ndërsa ai i Omanit në jug.
Sipas raportimeve, zyrtarët iranianë dhe ata omanezë kanë zhvilluar prej javësh bisedime për marrëveshjet e ardhshme të navigimit detar, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit ka bërë të ditur se po punohet për një deklaratë të përbashkët.
Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin e SHBA-së, pavarësisht kufizimeve të trafikut. Të premten ai deklaroi gjithashtu se mund ta shpallte ngushticën pjesë të territorit amerikan, ndërsa Irani reagoi duke thënë se ajo “do të mbetet iraniane”.
Presidenti amerikan pranoi gjithashtu se ekziston një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare të Iranit, të cilën e përshkroi si “lojtarë të mirë pokeri, por që po vdesin”.
Trump shtoi se nuk po nxiton për një marrëveshje, edhe pse lufta vazhdon të përballet me kundërshtim në SHBA, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ku demokratët synojnë të marrin kontrollin e Kongresit nga republikanët.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të rëndësishme strategjike për furnizimin global me energji dhe një nga vatrat kryesore të tensioneve mes SHBA-së, Iranit dhe Omanit.










Komente
Komento