Donald Trump ka vendosur të tërheqë, në këmbim të një marrëveshjeje, padinë prej 10 miliardë dollarësh që familja e tij kishte ngritur kundër Internal Revenue Service (IRS), agjencisë qeveritare amerikane përgjegjëse për mbledhjen e taksave.
Ajo padi kishte lindur për shkak se agjencia nuk kishte arritur të parandalonte rrjedhjen e të dhënave fiskale sensitive që lidhen me familjen Trump dhe me qytetarë të tjerë amerikanë. Tani ajo është tërhequr, pasi vetë qeveria e Trump ka krijuar një fond publik për të dëmshpërblyer ata që pretendojnë se janë goditur nga vendime gjyqësore të padrejta, të ndikuara politikisht.
Në një deklaratë, administrata ka sqaruar se Donald J. Trump, djemtë e tij Donald Jr. dhe Eric, si edhe Trump Organization, “do të marrin një kërkimfalje zyrtare, por nuk do të përfitojnë asnjë pagesë në para dhe asnjë kompensim financiar”.
Nga “Anti-Weaponization Fund” — që, siç e tregon edhe vetë emri, synon të korrigjojë “instrumentalizimet” e pretenduara të sistemit të drejtësisë — mund të përfitojnë, duke anashkaluar procedurat e zakonshme për ata që pretendojnë se janë viktima të abuzimeve gjyqësore, shumë aleatë, miq dhe mbështetës të presidentit, të cilët besojnë se janë dëmtuar nga vendime gjyqësore përndjekëse të dhëna gjatë administratës Biden.
Mes tyre përfshihen edhe rreth 1.500 persona të ndjekur penalisht për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Fondi do të administrohet nga një komision prej pesë personash, katër prej të cilëve do të emërohen nga Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche, i cili do të publikojë raporte tremujore mbi dëmshpërblimet e akorduara.
Buxheti total i “Anti Weaponization Fund”, i sapokrijuar, nuk është një shifër “e rrumbullakët”, por arrin në shumën e pazakontë prej 1,776 miliardë dollarësh, duke iu referuar — siç shpjegonte dje Washington Post — vitit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Demokratët premtojnë betejë./ Corriere della Serra
Komente











