Një reklamë kundër tarifave doganore të Donald Trump është bërë shkak për ndërprerjen e negociatave tregtare mes SHBA dhe Kanadasë. Presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim në Truth Social, tha se publikimi i kësaj reklame nga Kanadaja ishte skandaloze dhe negociatat ndërpriteshin menjëherë.

"Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë përfundojnë menjëherë”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan dukej se po i referohej një reklame të publikuar javën e kaluar nga Ontario, e cila përfshinte fragmente nga një fjalim radiofonik i vitit 1987 i mbajtur nga Ronald Reagan, në të cilin ish-presidenti tha se tarifat funksionojnë "vetëm për një kohë të shkurtër" dhe "dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan".

“Kur dikush thotë le të vendosim tarifa për importet e huaja, duket sikur po bën gjënë patriotike duke mbrojtur produktet dhe vendet e punës amerikane. Dhe ndonjëherë, për një kohë të shkurtër funksionon, por vetëm për një kohë të shkurtër. Por në planin afatgjatë, barriera të tilla tregtare dëmtojnë çdo amerikan, punëtor dhe konsumator. Tarifat e larta çojnë në mënyrë të pashmangshme në hakmarrje nga vendet e huaja dhe në shkaktimin e luftërave të ashpra tregtare... Tregjet tkurren dhe shemben, bizneset dhe industritë mbyllen dhe miliona njerëz humbasin vendet e tyre të punës”, thotë Reagan, fjala e të cilit është përfshirë në reklamë.

Më herët të enjten, Fondacioni Ronald Reagan tha në një deklaratë në X se reklama përdorte "audio selektive" dhe "keqinterpretonte fjalimin presidencial në radio". Fondacioni tha gjithashtu se qeveria e Ontarios nuk kërkoi leje për të përdorur fragmente nga fjalimi i Reaganit dhe tha se po "rishikon opsionet e saj ligjore në këtë çështje".

Trump përmendi deklaratën e Fondacionit Ronald Reagan në postimin e tij në Truth Social, duke e quajtur reklamën e Ontarios "FAKE" dhe duke pretenduar se ajo "e bëri këtë vetëm për të ndërhyrë në vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së", duke iu referuar një çështjeje në pritje mbi ligjshmërinë e strategjisë tarifore të Trump.

Marrëdhëniet midis SHBA dhe fqinjit të saj verior nuk janë në pikën më të mirë për shkak të strategjisë tregtare të Trump. Ai fillimisht vendosi tarifa doganore më të larta ndaj Kanadasë në fillim të këtij viti, duke e akuzuar vendin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar trafikun e fentanilit dhe migracionin në kufi.

Gjatë verës, Trump  i rriti tarifat doganore ndaj vendit  në 35%, megjithëse një pjesë e madhe e mallrave janë të përjashtuara sepse ato mbulohen nga Marrëveshja Tregtare SHBA-Meksikë-Kanada e vitit 2020. Në mars, Kanadaja vendosi tarifa hakmarrëse prej 25% për shumë produkte amerikane që nuk mbulohen nga USMCA. Por në gusht, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje mbi tarifat, kryeministri kanadez Mark Carney  tha se këto tarifa hakmarrëse po hiqeshin. Të dy vendet ende nuk kanë arritur një marrëveshje të tillë. 

Ndërkohë, Carney  tha më herët këtë javë se vendi do të kërkojë të dyfishojë eksportet e tij në vende të tjera përveç SHBA-së, duke përmendur "mbjelljen e pasigurisë" të shkaktuar nga tarifat amerikane. Megjithatë, Carney është përpjekur të negociojë me Trump, duke vizituar Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji.