Koreja e Jugut priti Presidentin e SHBA-së Donald Trump të mërkurën me një kopje të një kurore të artë dhe i dha atij "Urdhrin e Madh të Mugunghëa-s", dekoratën më të lartë të vendit.
Trump mbërriti në Korenë e Jugut në pjesën e fundit të një turneu aziatik që përfshinte gjithashtu vizita në Malajzi dhe Japoni, me bisedime të pritshme tregtare me Presidentin e Koresë së Jugut Lee Jae Myung dhe Presidentin Kinez Xi Jinping.
Zyra e presidentit Lee shpjegoi se, në njohje të rolit të Trump si "arkitekti i paqes" në Gadishullin Korean, atij iu dha Urdhri i Madh i Mugunghwa-s, i cili e ka marrë emrin nga lulja kombëtare e Koresë së Jugut - hibiscus rosa-sinensis, i njohur në anglisht, si Trëndafili i Sharonit. "Do të doja ta vija që tani," tha me shaka Trump ndërsa merrte çmimin vezullues. Një zyrtar i Koresë së Jugut vuri në dukje se Trump është presidenti i parë amerikan të cilit i jepet kjo medalje.
Përveç çmimit, Trump mori edhe një kopje të kurorës së artë Cheonmachong, një relike origjinale delikate e zbuluar në një varr në Gyeongju, me thumba të larta ari dhe dekorime të holla në formë gjetheje.
Presidenti Lee shpreson të sigurojë lëshime nga Trump në negociatat në vazhdim, për të ulur tarifat e SHBA-së mbi eksportet e Koresë së Jugut dhe është përpjekur të fitojë simpatinë e tij duke lavdëruar përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan lidhur me Korenë e Veriut.
Takimi midis dy udhëheqësve u zhvillua në një muze në Gyeongju, një qytet turistik i qetë plot me varre dhe ndërtesa historike që datojnë që nga mbretëria Silla, e cila sundoi rreth një të tretën e Gadishullit Korean deri në shekullin e 9-të.
Komente









