Donald Trump u kthye të martën në figurën më të kërkuar të samitit të G7Evian të Francës.

Me luftën në Ukrainë që vazhdon pa sinjale konkrete armëpushimi dhe me tensionet në Lindjen e Mesme që mbeten të larta, liderët europianë e shohin presidentin amerikan si njeriun që mund të ndikojë më shumë si mbi Vladimir Putinin ashtu edhe mbi zhvillimet me Iranin. Pikërisht për këtë arsye, dita e dytë e samitit u dominua nga takimet e Trump me Volodymyr Zelenskyn dhe Emmanuel Macron, në përpjekje për të gjetur një rrugë daljeje nga krizat që po rëndojnë mbi rendin ndërkombëtar.

Pikërisht për këtë arsye, takimi më i pritur ishte ai me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i pari mes dy liderëve pas gati katër muajsh. Para nisjes së sesionit kushtuar Ukrainës, Trump zhvilloi edhe një takim trepalësh me Zelenskyn dhe presidentin francez Emmanuel Macron, i cili prej ditësh po kërkon nga Uashingtoni një qëndrim më të fortë ndaj Kremlinit.

Frika në shumë kryeqytete europiane është se Trump mund të rikthehet te një linjë më e butë ndaj Moskës dhe të mos mbështesë presionin e mëtejshëm ekonomik ndaj Rusisë. Për këtë arsye, diskutimet në Evian u përqendruan kryesisht te mënyrat për ta detyruar Vladimir Putinin të ulet seriozisht në tryezën e negociatave.

Pas takimit me Zelenskyn, Trump u përpoq të japë sinjale se administrata e tij mbetet e angazhuar për t'i dhënë fund luftës.

“Rusia duhet të bëjë një marrëveshje. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time”, deklaroi presidenti amerikan.  Më pas ai tregoi se kontaktet me të dyja palët kanë vazhduar edhe ditët e fundit.

“Kam folur tani me presidentin Zelensky dhe të dielën kam folur edhe me presidentin Putin. Vazhdimisht themi të njëjtat gjëra. Ata vazhdojnë të luftojnë, vazhdojnë të humbin ushtarë, kaq shumë ushtarë sa nuk kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kam zgjidhur tetë luftëra. Mendoja se kjo do të ishte më e lehta për t'u zgjidhur, por fatkeqësisht dy liderët nuk janë të përputhshëm dhe nuk arrijnë të takohen”, tha Trump.

Deklarata u interpretua si një përpjekje për të treguar se Uashingtoni vazhdon të mbajë kanale komunikimi si me Kievin ashtu edhe me Moskën, ndërsa lufta ka hyrë në një fazë ku asnjëra palë nuk po arrin të sigurojë avantazhin vendimtar në terren.

Vetë Zelensky u shfaq më optimist pas diskutimeve në samit. Presidenti ukrainas tha se kishte informuar Trump për situatën në front dhe se liderët e G7 ndajnë të njëjtin vlerësim për ecurinë e konfliktit.

“Liderët e G7 bien dakord se Rusia nuk po fiton. Ka një dakordësi të plotë se Rusia nuk po fiton, se ka humbje të mëdha dhe se duhet të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh presidenti ukrainas.

Ky qëndrim u reflektua edhe në diskutimet mes liderëve të G7. Burime diplomatike franceze thanë se grupi po shqyrton masa të reja për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Sipas tyre, liderët kanë rënë dakord të vazhdojnë punën për sanksione të reja që synojnë eksportet ruse të naftës dhe gazit, me synimin për të kufizuar të ardhurat që financojnë luftën. Në të njëjtën linjë u shfaq edhe kryeministri britanik Keir Starmer.

“Do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Putinit dhe rrethit të tij derisa makina e luftës ruse të ndalet dhe paqja të rikthehet në kontinentin tonë”, deklaroi ai.

Por Ukraina nuk ishte dosja e vetme ku Trump u përpoq të dërgonte mesazhe të forta. Në konferencën për shtyp, presidenti amerikan u ndal gjatë edhe te Irani, duke sinjalizuar se pas zhvillimeve të fundit diplomatike administrata e tij po hyn në një fazë të re negociatash me Teheranin.

“Kalojmë tani në fazën e dytë. Besoj se do të jetë realisht më e thjeshtë”, tha ai. Megjithatë, paralajmërimi i tij për programin bërthamor iranian ishte shumë më i ashpër.

“I gjithë ferri do të bjerë mbi Iranin nëse përpiqet të ketë armë bërthamore”, deklaroi Trump. Presidenti amerikan hodhi poshtë edhe raportimet për investime të mundshme amerikane në Iran.

“Është një histori qesharake”, tha ai.

Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte komenti i Trump për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Edhe pse ka qenë një nga aleatët më të fortë të Izraelit, presidenti amerikan la të kuptohet se pret më shumë kujdes nga qeveria izraelite në raport me Libanin.

“Kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Bibi-n, por tani ai duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit”, deklaroi Trump.

Ai shtoi se konflikti me Hezbollahun ka zgjatur tepër dhe se po kushton shumë jetë njerëzish.

Në sfondin e gjithë këtyre zhvillimeve ndërkombëtare, në Evian nuk munguan as sinjalet politike mes Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Pas muajsh marrëdhëniesh jo gjithmonë të qeta dhe diferencash në disa çështje të politikës së jashtme, takimi mes tyre u interpretua nga media italiane si një moment afrimi.

Në fund të ditës së parë të samitit, Meloni dha një koment të shkurtër, por domethënës.

“Me Trump shkoi mirë”, tha ajo para bashkëpunëtorëve të saj. Edhe gjatë ditës së martë, të dy liderët u panë duke biseduar përpara një dreke pune kushtuar krizave në Lindjen e Mesme, ku morën pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:34
Zelensky: Mirënjohës Kanadasë për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

1780497375_volodymyrzelensky.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shprehur mirënjohjen Kanadasë për paketën e re të sanksioneve kundër mbi 160 subjekteve të lidhura me flotën në hije të Rusisë.

"Jam mirënjohës ndaj Kanadasë për paketën e saj të re të sanksioneve kundër mbi 160 subjekteve të lidhura me flotën në hije të Rusisë", shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në llogarinë e tij në rrjetin social ‘X’.

"Sot, gjatë takimit tonë me Mark Carney, diskutuam rritjen e presionit të sanksioneve ndaj Rusisë. Dhe është e rëndësishme që të merren vendime të tilla. Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin në mbrojtje, pjesëmarrjen e Kanadasë në financimin e prodhimit të dronëve ukrainas bazuar në modelin danez dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë", shkroi mes të tjerash Zelensky në rrjetet sociale.

"Është e rëndësishme të theksohet", shtoi ai, "se Kanadaja do të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës mbështetje energjetike dhe ndihmë për rimëkëmbje. E falënderoj Markun për qëndrimin e tij të vendosur gjatë takimit G7-Ukrainë dhe për gjithë mbështetjen e tij për popullin tonë. Ne kemi vërtet aleatë të fortë dhe angazhimi i rëndësishëm personal i Kryeministrit për të mbështetur Ukrainën është i paçmuar".

Ora 15:25
Kryeministri britanik Starmer: Ne do ta rrisim presionin mbi Putinin derisa të ndalet makina e luftës e Moskës

1781616417_tdruuu.JPG

Nga samiti i G7 që po zhvillohet aktualisht në Evian të Francës, kryeministri britanik Keir Starmer dënoi sulmet ruse në Lavrën Pechersk në Kiev, duke i quajtur ato "të mjerueshme".

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social ‘X’, Starmer shpjegoi se incidente të tilla justifikojnë sanksione të reja britanike kundër "anijeve, fondeve dhe individëve që mbështesin ekonominë e luftës së Rusisë", të cilat ai tha se kërcënojnë sigurinë evropiane.

Kryeministri përsëriti qëndrimin e ashpër të Londrës kundër Moskës, duke siguruar se Mbretëria e Bashkuar "do të rrisë presionin mbi Putinin dhe rrethin e tij të bashkëpunëtorëve" derisa "makineria ruse e luftës të ndalet dhe paqja të kthehet në kontinentin tonë".

Komentet vijnë ndërsa qeveria britanike përgatit një paketë të re sanksionesh kundër të ashtuquajturës "flotë në hije" të përdorur nga Rusia për të eksportuar naftë dhe gaz.