Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Manila të Filipineve, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka zbritur në qytetin Shenzhen të Kinës, në kuadër të zhvillimeve diplomatike që pritet të kulmojnë më 19 nëntor me takimin trepalësh mes tyre dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Trump e nisi turin e tij aziatik me ndalesën në Filipine, ku u prit me ceremoni zyrtare në aeroport. Gjatë qëndrimit në Manila, ai zhvilloi takimin e parë me partnerët amerikanë në kuadër të partneritetit Quad: kryeministrin indian Narendra Modi, kryeministren japoneze Sanae Takaichi dhe kryeministrin australian Anthony Albanese. Në fokus të bisedimeve ishin siguria rajonale, tregtia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale, si dhe bashkëpunimi për një Indo-Paqësor të lirë dhe të qëndrueshëm.

Pas Filipineve, Trump pritet të udhëtojë drejt Kinës, ku do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Azi-Paqësorit dhe do të zhvillojë bisedimet me Xi Jinping. Vizita zhvillohet në një periudhë tensionesh tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit, ndërsa SHBA synon të forcojë bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe të kufizojë varësinë e tyre nga Kina në sektorët strategjikë të teknologjisë.

Ndërkohë, Putin ka mbërritur në Shenzhen, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor. Mbërritja e tij u transmetua nga televizioni shtetëror rus, ndërsa në qendër të vizitës është takimi i planifikuar me Trump dhe Xi Jinping më 19 nëntor.

Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, e cilësoi takimin si një ngjarje me rëndësi të veçantë simbolike, duke kujtuar bashkëpunimin e tri vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rolin e tyre në themelimin e OKB-së. Kremlini synon që bisedimet të përmbyllen me publikimin e një komunikate të përbashkët mes tre liderëve.

Nga ana tjetër, Trump ka lënë të hapur edhe mundësinë e një takimi kokë më kokë me Putin, ndërsa në axhendën e bisedimeve pritet të jenë marrëdhëniet mes tri fuqive, siguria ndërkombëtare dhe rivaliteti ekonomik mes SHBA-së dhe Kinës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
Putin mbërrin në Kinë, Kremlini: Synohet komunikatë e përbashkët mes tre liderëve

1794946773_putin.JPG

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbërritur në qytetin Shenzhen të Kinës, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, ndërsa në fokus të vizitës së tij është takimi i planifikuar trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë kinez, Xi Jinping.

Avioni i liderit rus u ul të martën në aeroportin Bao'an të Shenzhenit, ndërsa mbërritja e tij u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror rus.

Vizita e Putinit, e planifikuar për të mërkurën dhe të enjten, pritet të shënojë takimin e parë trepalësh mes liderëve të Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, e cilësoi këtë takim si një ngjarje me rëndësi të veçantë simbolike, duke iu referuar bashkëpunimit të tri vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rolit të tyre në themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Kremlini synon që takimi të përmbyllet edhe me publikimin e një komunikate të përbashkët mes tre vendeve.

Ora 20:34
'Bombë e pistë', Trump paralajmëron Iranin: Nëse sulmon Uashingtonin, do të përballesh me pasoja të paprecedenta

1793753979_donaldtrump.jpeg

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani do të përballet me pasoja të paprecedenta nëse ndërmerr një sulm ndaj Uashingtonit me një të ashtuquajtur “bombë të pistë” ose armë kimike.

Deklarata e Trump vjen pas raportimeve sipas të cilave shërbimet amerikane të inteligjencës kanë evidentuar informacione se Irani mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e një sulmi në kryeqytetin amerikan.

I pyetur nga gazetarët në Manila nëse Teherani po planifikon një sulm të tillë, Trump tha se autoritetet amerikane po i shqyrtojnë këto informacione dhe paralajmëroi për pasoja të rënda në rast se një plan i tillë vihet në zbatim.

“Ne po e shqyrtojmë. Nëse ekziston një plan i tillë, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”,- tha Trump.

Ndërkohë edhe Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, e cilësoi kërcënimin serioz, duke paralajmëruar se një sulm ndaj Uashingtonit apo një qyteti amerikan mund të shkaktonte një luftë të gjithanshme.

“Nëse do të sulmonit një nga qytetet tona apo Uashingtonin, do të shkaktonit një luftë të gjithanshme. Kjo do të thotë se do të përdornim të gjitha burimet në dispozicion për t'ju shkatërruar”.- u shpreh Mullin.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se administrata po monitoron çdo kërcënim të mundshëm, por deri më tani nuk ka rreziqe të besueshme dhe të menjëhershme ndaj territorit amerikan.

Irani ka mohuar pretendimet e publikuara në mediat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane i ka cilësuar raportimet si të fabrikuara, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të krijojë justifikime për veprime të mëtejshme kundër Teheranit.