Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të pranisë së tyre ushtarake në Europë, ato do ta rrisin atë në Arktik. Presidenti Donald Trump njoftoi në rrjetin social Truth Social se ka arritur një “marrëveshje të gjerë” me Danimarkën dhe Groenlandën, e cila u garanton Shteteve të Bashkuara “të drejta të përhershme ushtarake” në ishullin arktik, që konsiderohet me rëndësi strategjike.

Danimarka e konfirmoi marrëveshjen, duke e cilësuar atë “të mirë për NATO-n dhe Europën”. Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, SHBA-ja do të ketë “akses të përhershëm, të drejta për vendosjen e trupave ushtarake dhe për fluturime mbi Groenlandë”, si dhe mundësinë për të ndërtuar instalime të tjera ushtarake, nëse do të jetë e nevojshme.

Marrëveshja ndalon Kinën, Rusinë dhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e NATO-s të ndërtojnë baza ushtarake apo të vendosin trupa në Groenlandë. Ajo kufizon gjithashtu investimet e vendeve që konsiderohen “kundërshtare” në sektorë të ndjeshëm, si mineralet e rralla, të cilat kanë rëndësi të madhe për inteligjencën artificiale dhe mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Kjo marrëveshje historike është një fitore e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për Fox News.

“Falë vizionit dhe udhëheqjes së presidentit Trump, kjo marrëveshje garanton në mënyrë të përhershme interesat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara në Arktik, pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë”, shtoi ai.

Marrëveshja do të mbetet në fuqi edhe në rast se Groenlanda bëhet në të ardhmen një shtet i pavarur nga Danimarka. Nga sa është bërë e ditur deri më tani, kjo do të përbënte një rezultat negociatash shumë të ndryshëm nga blerja e ishullit, që ishte ideja fillestare e Trump.

Marrëveshja nuk ia kalon sovranitetin mbi Groenlandën Shteteve të Bashkuara, por, nëse konfirmohet, përmban një element të rëndësishëm politik: Danimarka do ta ruante sovranitetin, duke pranuar një kufizim shumë të gjerë të aftësisë së saj për të vendosur mbi përdorimin ushtarak të territorit.

Ajo shënon gjithashtu një kompromis delikat për NATO-n. Groenlanda do të shndërrohej edhe më shumë në një pikë kyçe të strategjisë amerikane në Arktik. Pozicioni i saj gjeografik është i rëndësishëm për kontrollin e rrugëve detare të Arktikut, mbikëqyrjen e hapësirës ajrore dhe të raketave, si dhe për konkurrencën strategjike me Rusinë dhe Kinën.

Shtetet e Bashkuara kanë tashmë në Groenlandë bazën hapësinore Pituffik dhe një marrëveshje mbrojtjeje me Danimarkën, e cila daton që nga viti 1951. Marrëveshja e re përputhet plotësisht me logjikën e re të Trump për marrëdhëniet me aleatët: Uashingtoni kërkon akses, baza, kapacitete ushtarake dhe një angazhim më të madh të europianëve për mbrojtjen e tyre.

Por kjo po ndodh pikërisht në një kohë kur është bërë i ditur synimi i Pentagonit për të tërhequr nga Europa 25 mijë ushtarë ose, sipas skenarit më drastik, deri në 40 mijë trupa, gjysmën e 80 mijë ushtarëve amerikanë të dislokuar aktualisht në kontinent. Një reduktim i tillë do ta kthente praninë ushtarake amerikane në Europë në nivelet e viteve ’90, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Vendet që pritet të preken më shumë nga shkurtimet janë Italia, Gjermania dhe Spanja, me të cilat Trump ka pasur përplasje. Dokumenti që përmban projektin për reduktimin e trupave i është paraqitur kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, nga gjenerali Alexus Grinkewich, komandanti suprem i forcave aleate në Europë. Hegseth do të ketë kohë deri më 6 nëntor për të dhënë vlerësimin e tij, ndërsa më pas vendimi përfundimtar do t'i takojë Trump.

Mbivendosja e përllogaritjeve ushtarake me mesazhin politik drejtuar aleatëve, pas akuzave për mungesë angazhimi në Iran, duket qartë. Presidenti amerikan është ankuar vazhdimisht për qëndrimin e aleatëve, ndërsa vetë Hegseth, në qershor, i kishte cilësuar aleatët europianë si “të turpshëm”. Megjithatë, kjo qasje për të larë hesapet me aleatët nuk gëzon mbështetje të njëzëshme në Uashington.

Në Kongres ka shqetësim nga të dyja partitë. Shumë ligjvënës janë kundër mundësisë së një reduktimi të pranisë ushtarake amerikane që do të ndryshonte rrënjësisht marrëdhëniet me Europën.

“Një shkurtim prej 25 mijë ushtarësh nuk është i pranueshëm në asnjë mënyrë”, deklaroi një burim republikan për NBC. Kongresi mund të bllokojë fondet e nevojshme për të financuar zhvendosjen e trupave ushtarake, por Trump, duke ndjekur instinktin e tij, mund të përpiqet ta anashkalojë këtë pengesë./La Repubblica