Presidenti amerikan Donald Trump ka ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh për personat që denoncojnë raste të mashtrimit zgjedhor që çojnë në arrestim dhe dënim, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat mbahen më 3 nëntor.

Megjithatë, një verifikim i BBC tregon se studimet e kryera ndër vite evidentojnë se rastet e mashtrimit me votat me postë dhe votimit të paligjshëm nga persona që nuk janë shtetas amerikanë janë jashtëzakonisht të rralla.

Trump ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje sigurinë e procesit zgjedhor, duke pretenduar se mashtrimi me votat me postë është i përhapur dhe se persona pa shtetësi amerikane votojnë në zgjedhje. Ai ka kërkuar gjithashtu ndryshime në legjislacion, përfshirë detyrimin për paraqitjen e një dokumenti identifikimi me fotografi dhe të provës së shtetësisë gjatë regjistrimit për të votuar.

Një studim i institutit kërkimor Brookings, bazuar në zgjedhjet e viteve 2016, 2018, 2020 dhe 2022, gjeti mesatarisht rreth katër raste mashtrimi për çdo 10 milionë vota të hedhura me postë. Ndërsa një studim i vitit 2020, i Shoqatës Amerikane të Statistikave, nuk gjeti prova se votimi me postë rrit rrezikun e mashtrimit zgjedhor.

Edhe rastet e votimit nga persona që nuk kanë shtetësi amerikane rezultojnë të pakta. Sipas të dhënave të cituara nga BBC, databaza e fondacionit Heritage identifikoi 24 raste dënimesh për votim nga persona joshtetas gjatë periudhës 2005–2025. 

Ndërkohë, administrata Trump ka mbështetur përdorimin e databazave federale për të identifikuar persona që dyshohet se nuk kanë shtetësi amerikane dhe për t'i hequr nga listat e votuesve.

Kritikët paralajmërojnë se të dhënat mund të jenë të pasakta ose të vjetruara, duke rrezikuar përjashtimin e qytetarëve që kanë të drejtë vote.
Me afrimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, çështja e sigurisë së votës është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në SHBA. Ndërsa Trump kërkon kontrolle më të rrepta, të dhënat e analizuara nga BBC Verify tregojnë se pretendimet për mashtrim të përhapur nuk mbështeten nga numri i rasteve të dokumentuara./ BBC