Humbja e thellë në zgjedhje nuk afron demokratët, Rithemelimi ‘mburojë’ Berishës: S’ka pse ikën! PD zyrtare: Duhet reflektim, partneritet me SHBA dhe bashkim

Humbja e thellë në zgjedhjet duket se nuk ka qenë një arsye për t’i bashkuar demokratët por për t’i thelluar edhe më shumë ndarjet. Deputetët që kanë shkuar sot në seancë plenare kanë folur brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare dhe në qëndrimet e tyre kanë qenë diametralisht në kahe të kundërta.  Tërheqja e Enkelejd Alibeajt nga kreu i komanduar i PD dhe vendimi i Sali Berishës për të mos u larguar pavarësisht disfatës së thellë shihet ndryshe nga deputetët demokratë, të cilët disa ditë pas 14 majit, pranojnë se rezultati historik negativ erdhi edhe si pasojë e përçarjes brenda PD. Kampi zyrtar pranon nevojën e një lidershipi të ri, ndërsa ata të Rithemelimit thonë se nuk është nevoja e dorëheqjes së Berishës sepse zgjedhjet u vodhën.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, shprehet se të gjithë demokratët duhet të pranojnë gabimet që kanë bërë te vetja dhe të reflektojnë për t’u bërë alternativë, jo refuzim i shqiptarëve.

“Në këtë moment kam kërkuar të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan”, shprehet Tabaku.

Sa i përket dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt, Tabaku tha se ishte e papritur për të. Ajo nuk bëri një koment nëse do të pranojë drejtimin e përkohshëm të PD, por tha që hapat që do të ndërmeren do diskutohen me demokratët.

Kreshnik Çollaku thotë se po punojnë për ringritjen e PD që sipas tij bëhet forcë qeverisëse përmes 2 kritereve. Çollaku shprehet se njëra ka të bëjë me bashkimin e opozitës ndërsa tjetra me marrëdhëniet e SHBA që s’duhet të jenë të cenuara, duke u shprehur qartë për Sali Berishën, i cili është i shpallur ‘non grata’.

Deputeti Edi Paloka pretendon se zgjedhjet e 14 majit ishin të vjedhura nga PS. Sipas tij, Berisha nuk ka pse të tërhiqet sepse është loja që bën Rama. Për dorëheqjen e Alibeajt, thotë se ishte pa post dhe nuk ka humbur asgjë. Sa i përket ribashkimit të PD, Paloka tha se do të bëjnë çdo përpjekje për ribashkimin. Paloka theksoi se në rast se një prej kolegëve ka zgjidhje se si t’i japin fund ngërçit e të rrëzojnë Ramën, atëherë do e mbështesë.

Ervin Salianji nga ana tjetër akuzon deputetët e PD zyrtare se askush nuk bëri fushatë. Ai shprehet se pas dorëheqjes së Alibeajt nuk është momenti që dikush të nxitojë që të marrë një pozicion të caktuar në parti për interesa personale. Salianji paralajmëroi edhe një skemë që do të përdoret në PD që do të çojë edhe më tej drejt përçarjes së kësaj partie.

“Shoh një skemë që fraksioni vulës ka një përpjekje tjetër që të fragmentohet akoma më shumë. Nuk kanë interes për demokratët. Kanë interes për të marrë ndonjë funksion. Nuk do të zgjasë më shumë se dy orë”, thotë Salianji.

Deputeti Ferdinand Xhaferaj thotë se Sali Berisha në krye të PD nuk premton perspektivë për shkak të marrëdhënieve që ka me ndërkombëtarët. Sipas tij, Berisha duhet të jetë vagon, jo në krye të PD. Dy prej deputetëve më mbështetës të Sali Berishës, Tritan Shehu dhe Luan Baci thonë se regjimi përballohet me lëvizje të madhe. Sa i përket largimit të Berishës, Baci shprehet se vetëm vota e demokratëve mund të largojë nga PD. Ndërsa Shehu thotë se kundërvënia ndaj Ramës duhet bërë me të gjitha forcat.

Koalicioni Berisha-Meta arriti të marrë vetëm 7 bashki, duke pësuar humbjen më të thellë të forcave opozitare në zgjedhjet për pushtetin lokal në 33 vite pluralizëm. Pa vulën e partisë, Berisha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga drejtimi i Rithemelimit, ndërsa Partia Demokratike zyrtare tashmë pa kryetar, të premten mbledh kryesinë për të diskutuar rrugës e zgjedhjes së kreut të ri. Beteja për vulën e partisë vijon në gjykatë, pasi Apeli e ktheu për rishqyrtim në shkallë të parë, duke zhbërë vendimin e gjyqtarit që njohu Berishën kryetar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:58
Deputetët që mbështesin Berishën: Opozita ka përgjegjësi, regjimi përballohet me lëvizje të madhe! Vetëm vota e demokratëve të largon nga PD

Dy deputetë që mbështesin Sali Berishën, Tritan Shehu dhe Luan Baci thonë se opozita ka përgjegjësi për rezultatin e 14 majit por thonë se regjimi përballohet me lëvizje të madhe. Sa i përket largimit të Berishës, Baci shprehet se vetëm vota e demokratëve mund të largojë nga PD.

Tritan Shehu: Unë them që duhet të mendojmë si t’i kundërvihemi këtij regjimi që duhen të gjithë forcat opozitare të vendit të luftojnë. Ky regjim përballohet vetëm me një lëvizje të madhe, asgjë tjetër.

Luan Baçi: Rezultati i 14 majit, vjedhje e paskrupullt e Ramës. Një betejë e pabarabartë dhe masakër zgjedhore. Opozita ka përgjegjësi dhe patjetër që do të jemi në konsultim të gjerë edhe për opozitën. Opinioni im është që vetëm vota të largon dhe askush tjetër. Vota e demokratëve dhe simpatizantëve. Votëbesim do të bëhet.

Ora 10:57
Salianji: Fraksioni i vulës po bën përpjekje që PD të përçahet edhe më shumë! S’është momenti që dikush të marrë një pozicion

 

Pas dorëheqjen e së Alibeajt, deputeti Ervin Salianji, thotë se nuk është momenti që dikush të nxitojë që të marrë një pozicion të caktuar në parti për interesa personale. Salianji paralajmëroi edhe një skemë që do të përdoret në PD që do të çojë edhe më tej drejt përçarjes së kësaj partie.

‘Deputetë të PD-së nuk bëjnë asnjë ditë fushatë. Dihet publikisht kush nuk ka qenë. Ka njerëz që kanë punuar edhe kundër. Në këtë sens duhet të mbajnë përgjegjësinë dhe të shohin se çfarë kanë bërë vetë. Rama përdor bandat e paratë që gjithë administrate publike u involvuan dhe u përfshinë në mënyrë masive për vjedhjen e zgjedhjeve.

Në këtë sens kushdo që do të përfitojë diçka personalisht duhet të reflektojë për interesat e demokrateve. Bën dëmtim të madh! Në mendimin tim opozita duhet të reflektojë dhe të merret me vete. Mendoj se secili të ulet dhe të tejkalojë edhe veten të bëjë të mundur që të gjenden mekanizmat e duhur që të hapemi drejt shoqërisë. Nuk mund të mbahet peng opozita. Ka skema për ta fragmentarizuar Akoma më shumë PD. Nuk shoh që ka një përpjekje për t’i shërbye demokratëve. Shoh një skemë që fraksioni vulës ka një përpjekje tjetër që të fragmentohet akoma më shumë. Nuk kanë interes për demokratët. Kanë interes për të marrë ndonjë funksion. Nuk do të zgjasë më shumë se dy orë.

Të gjithë deputetët e opozitës duhet të bëjnë mbledhje bashkë e të gjejnë zgjidhje. Nëse nuk ka interesa të përbashkëta me demokratët e bazës, opozita duhet të bëjë një organizim të ri. Nuk është momenti që askush të bëjë hapa për pozicione të caktuara. Kam nisur të mbledh firma më shumë se 60% e deputetëve kanë dashur që unë të jem kryetar i grupit parlamentar, por u tërhoqa vetë.’- tha Salianji.

Ora 10:51
Çollaku: Opozita në rënie, duhet të ringrihemi! PD kthehet në forcë qeverisëse me ribashkim dhe marrëdhënie të pacënuara me SHBA

 

Deputeti Kreshnik Çollaku thotë se po puinojnë për ringritjen e PD që sipas tij bëhet forcë qeverisëse përmes 2 kritereve. Çollaku shprehet se njëra ka të bëjë me bashkimin e opozitës ndërsa tjetra me marrëdhëniet e SHBA që s’duhet të jenë të cënuara. Me këtë duket se i jep mesazh Sali Berishës, i cili është i shpallur ‘non grata’.

“Është e qartë që ka qenë rënie për të gjithë opozitën. Mendoj se aftësia jonë për të analizuar pse ndodhi është e lidhur me aftësinë apo jo për t’u ringritur. Nëse lexojmë mirë ringrihemi, në rast se i shmangemi, mundësitë për t’u ringritur janë të pakta. Çdo kush duhet të gjejë pozicionin e vet në këtë ringritje. PD ka 2 komponentë jetikë për të kthyer forcë qeverisëse dhe fituese. E para që demokratët të bashkohen, e dyta që marrëdhëniet me SHBA të jenë të pacenuara”, tha Çollaku.

Ora 10:49
Xhaferaj: Berisha nuk është zgjidhje, të bëjë një hap pas dhe të jetë vagon i trenit! Na duhet lider që projekton marrëdhënien me aleatët

 

Deputeti Ferdinand Xhaferaj thotë se Sali Berisha në krye të PD nuk premton perspektivë për shkak të marrëdhënieve që ka me ndërkombëtarët. Sipas tij, Berisha duhet të jetë vagon, jo në krye të PD.

“Në këto zgjedhje opozita mori atë rezultat që panë të gjitha pr shkaqe brenda opozitës por edhe për shkaqe të jashtme. Kur themi për shkaqe të brendshme ishte se nuk gjetëm gjuhën e përbashkët. Por raporti i ODHIR thotë që u përdor presion mbi votuesit, u përdor administrata.

Pamë dhunën verbalë që ushtroi zoti Rama në fushatë. Që vishej si për vitin 2030 dhe fliste dhe këndonte si në mesjetë. Nuk mund të flitet në 2023 që unë qyteteve nuk do i jap fonde. Rama me sistemin nuk mori më shumë se 750 mijë vota. Problemi është pse opozita nuk është në gjendje të tërheqë është 6% të shqiptarëve. Zoti Berisha me të shkuarën e tij, me marrëdhëniet që ka me ndërkombëtarët nuk premton perspektivë për më shumë se 500 mijë shqiptarë. E kemi pasur 13 vite drejtues dhe lokomotivë të trenit opozitar.

Por me Berishën në krye kjo punë nuk mund të bëhet por edhe pa Berishën nuk bëhet. Berisha të jetë vagon. Na duhet një drejtues që është në gjendje të projektojë më shumë se 500 mijë shqiptarë. Deri tani jemi në evidencë. Edhe Basha ka rolin e tij për të luajtur, secili duhet të shohë nga vetja. Edhe grupimi jonë ka marrë ato rezultate që ka marrë. Mund të jemi pjesë e një zgjidhje që shkon përtej nesh. Na duhet lidership i ri. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ky është presioni që duhet bërë”, tha ai.

Ora 10:32
Zgjedhjet e 14 majit, Paloka: Berisha s’ka pse të bëjë hap pas, do shkalafitet PD! Dorëheqja e Alibeajt? Deputeti: Lojë e Ramës, nuk ka pasur asnjë post

 

Deputeti Edi Paloka pretendon se zgjedhjet e 14 majit ishin të vjedhura nga PS. Sipas tij, Berisha nuk ka pse të tërhiqet sepse është loja që bën Rama. Për dorëheqjen e Alibeajt, thotë se ishte pa post dhe nuk ka humbur asgjë.

“Zgjedhjet i patë vetë si shkuan, përgjegjësitë tona janë ato që ju thashë, ne përballemi me një realitet që është ky, qeveri që përdor çdo mënyre për të vjedhur votat e shqiptarëve. Përgjegjësia jonë është që ose përballemi me këtë realitet me të gjithë mënyrat se si duhet të përballesh me një qeveri që nuk bën zgjedhje ose të shkojmë në shtëpi të gjithë. Berisha nuk ka pse të bëjë hap pas se këtë kërkon Rama. Të gjithë ata që bëjnë luftën që të iki Berisha duan që të lënë PD të shkalafitet. Kjo është loja që bën Rama. Ju thoni t’ia plotësojmë dhe këtë dëshirë. Nuk më intereson fare, Alibeaj nuk ka pasur asnjë post që të japë dorëheqjen. Rama do bëjë më tepër se kaq. Ka ndonjë që mendon se këto zgjedhje ishin normale? Ky milet në vend që të bërtasë e të ulërasë që jetojmë në një vend ku nuk bëhen zgjedhje. Si bindet ai që i shkon krimineli në shtëpi dhe i thotë ose do marrësh 50 mijë lekëshin ose ke punë me mua? Duhet bërë analiza. Bëjini tamam dhe vejini gishtin hajdutit dhe thoni si duhet ta zgjidhni? Nuk e kam bërë fajtor Bashën për manipulimin e Ramës. Nuk zgjidhet asgjë po ikëm ne, do vijë tjetri, do vjedhë prap Rama. Kush të dojë të vijë ta provojë, e të largojë Ramën”, tha Paloka.

Sa i përket ribashkimit të PD, Paloka tha se do të bëjnë çdo përpjekje për ribashkimin. Paloka theksoi se në rast se një prej kolegëve ka zgjidhje se si t’i japin fund ngërçit e të rrëzojnë Ramën, atëherë do e mbështesë.

“Ne do bëjmë çdo përpjekje që është në dorën tonë për bashkimin. Çfarë kemi difekte duhet t’i rregullojmë të gjitha. Nëse vazhdohet me këtë frymë dhe gishti i drejtohet viktimës, aty kemi mbaruar të gjithë”, tha Paloka.

Ora 10:10
Humbja në zgjedhjet, Jorida Tabaku: Të pranojmë gabimet dhe të reflektojmë! Ndryshe nuk bëhemi alternativë

 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka folur për rezultatin e opozitës në zgjedhjet e 14 duke thënë se të gjithë demokratët duhet të pranojnë gabimet që kanë bërë te vetja dhe të reflektojnë për t’u bërë alternativë, jo refuzim i shqiptarëve.

“Kam pritur që numëruesit të mbaronin punën. Unë kam të njëjtin qëndrim që kisha që në fillim të shtatorit. Kam bërë thirrje për të gjithë ata që janë në PD, pak rëndësi ka që mendojnë ndryshe, që PD duhet të ishte bashkë dhe të kishte ofertë të unifikuar. Kam bërë thirrje që secili prej nesh të mendonte më shumë se interesat e veta personale, kam bërë thirrje që PD të ndryshonte mendësinë, të ndryshonte ofertën, sjelljen. Në këtë moment kam kërkuar të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan. Nëse do kishim ndryshuar ofertën e PD do i kishim lënë vendin jo llumit, jo mllefit, jo sulmit, jo përçarjes por bashkimit dhe ofertës së PD në 1, situata do ishte ndryshe. Ka ardhur momenti që të reflektojmë e të sillemi ndryshe. Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Duhet të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim. Të pranojmë që PD s’është as më e madhe, as më e bashkuar, as më e fortë se këtë treguan rezultatet. S’mund të jemi refuzimi i shqiptarëve, por alternativa”, tha Tabaku.

Sa i përket dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt, Tabaku tha se ishte e papritur për të. Ajo nuk bëri një koment nëse do të pranojë drejtimin e përkohshëm të PD, por tha që hapat që do të ndërmeren do diskutohen me demokratët.

“Jemi ende duke e diskutuar për mënyrën se si do të anashkalohet ky ngërç. Për mua ishte e papritur dorëheqja e Alibeajt. Siguroj që çdo hap që do të ndërmerret do diskutohet me kolegët e demokratët. Nuk është keq të kesh ambicie në politikë, por në këtë rast për mua ambicia kryesore ka qenë dhe është ajo e demokratëve, asnjë personale”, tha Tabaku.

A.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 18/05/2023 11:46

    Kèta, janè zogjtè e marrèzisè, "frutet" e pèrdhunimit qè u ka bèrè NONGRATA nè gjysèm shekulli, simboli i bolshevizmit qè "ha bar" por nuk dorèzohet, vetèm bajraktarin mos na e prekni. Historia, na ndihmon tè kuptojmè mè mirè, se çfarè ndodh me grupime tè tilla, nèse nuk kanè drejtimin kohor dhe mendèsinè e duhur. Ato shkojnè nè atè gropèn septike tè kotèsisè. Udhè e mbarè Paloqe dhe Tabake. Nèse nuk ikni vetè, ju marrtè SPAK bajraktarin tuaj dhe juve po ashtu, more vrasès dhe hajdutè tè ndyrè, more Gèrdeca dhe 21 janarè, more bashkèhajdutè tè Likes. Pika qè su bie.!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet