
Donald Trumpo
Presidenti amerikan Donald Trump fajësoi demokratët se po përpiqen të shpërqendrojnë vëmendjen nga mbyllja e qeverisë të mërkurën, duke publikuar dokumente të reja mbi çështjen Epstein.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, ai shkruan:
“Demokratët po përpiqen të nxjerrin sërish në skenë mashtrimin e Jeffrey Epstein sepse do të bëjnë gjithçka për të shmangur vëmendjen nga sa keq janë treguar me Mbylljen (Shutdown) dhe me shumë çështje të tjera. Vetëm një republikan shumë i keq, ose budalla, do të binte në atë kurth. Demokratët i kushtuan vendit tonë 1.5 trilionë dollarë me veprimet e tyre të fundit, duke e mbyllur me egërsi vendin tonë, ndërsa në të njëjtën kohë vunë shumë njerëz në rrezik — dhe ata duhet të paguajnë një çmim të drejtë. Nuk duhet të ketë asnjë shpërqendrim drejt Epstein-it apo ndonjë gjëje tjetër, dhe çdo republikan i përfshirë duhet të përqendrohet vetëm në rihapjen e vendit tonë dhe në riparimin e dëmit të madh që kanë shkaktuar demokratët!”
Megjithatë, disa vlerësime për ndikimin ekonomik të mbylljes e ulin ndjeshëm atë shifër trilionëshe, duke e afruar më shumë me 28 miliardë dollarë.
Rreth gjysmë ore pas postimit të parë në Truth Social, Trump publikoi një tjetër mesazh, duke përsëritur qëndrimin e tij mbi dokumentet:
“Me fjalë të tjera, demokratët po përdorin mashtrimin e Jeffrey Epstein për të devijuar vëmendjen nga dështimet e tyre masive, në veçanti nga më i fundit — Mbyllja e Qeverisë (THE SHUTDOWN)!”
Në një konferencë për shtyp më herët gjatë ditës, sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjithashtu akuzoi demokratët se kanë krijuar një “mashtrim të fabrikuar” duke publikuar disa nga dokumentet këtë mëngjes, përpara se Dhoma e Përfaqësuesve të rikthehej në punë.
Lajmi kryesor:
Demokratët publikojnë emailet e Epstein: Trump kaloi orë të tëra në shtëpinë time me njërën nga vajzat











