Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se SHBA-të duhet të “zotërojnë” Groenlandën për të parandaluar Rusinë dhe Kinën që ta bëjnë këtë.

“Vendet duhet të kenë pronësi dhe ju mbroni pronësinë, ju nuk mbroni kontratat e qirasë. Dhe ne do të duhet të mbrojmë Groenlandën. Do ta bëjmë në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë", u tha Trump gazetarëve të premten.

Shtëpia e Bardhë deklaroi së fundmi se administrata po shqyrton blerjen e territorit gjysmë-autonom të Danimarkës, një anëtare tjetër e NATO-s, por nuk do ta përjashtonte mundësinë e aneksimit të tij me forcë.

Danimarka dhe Groenlanda thonë se territori nuk është në shitje. Danimarka ka thënë se veprimi ushtarak do të shënonte fundin e aleancës transatlantike.

Në një deklaratë të përbashkët të premten në mbrëmje, udhëheqësit e partive të Groenlandës, përfshirë opozitën, përsëritën thirrjen që të marrë fund shpërfillja e SHBA-së për vendin e tyre.

Pavarësisht se është territori më pak i populluar, vendndodhja e Groenlandës midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë të pozicionuar mirë për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast të sulmeve me raketa dhe për monitorimin e anijeve në rajon.

Presidenti amerikan ka thënë vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar pa prova se ajo ishte "e mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo".

SHBA-të tashmë kanë më shumë se 100 personel ushtarak të stacionuar përgjithmonë në bazën e tyre Pituffik në skajin veriperëndimor të Groenlandës, një strukturë që është operuar nga SHBA-të që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-të kanë fuqinë të sjellin sa më shumë trupa që duan në Groenlandë.