Donald Trump ka njoftuar se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit, në kuadër të përplasjes së vazhdueshme të administratës së tij me këtë institucion, shkruan BBC.
Kjo ndodh pas raportimit të New York Times se administrata e presidentit amerikan ishte detyruar të tërhiqej nga kërkesa për një pagesë prej 200 milionë dollarësh gjatë negociatave me universitetin.
Trump iu referua këtij artikulli në një postim në Truth Social të hënën, duke akuzuar Harvardin se po i “ushqen New York Times-it shumë marrëzira”. Kabineti i tij ka akuzuar Harvardin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin gjatë protestave pro-palestineze. Harvardi i ka hedhur poshtë këto akuza.
Universiteti ka qenë një nga objektivat kryesore të fushatës së Shtëpisë së Bardhë kundër asaj që ajo e quan ideologji “woke” dhe “radikale të majta” në kampuset amerikane. Në prill të vitit të kaluar, Trump revokoi rreth 2 miliardë dollarë fonde kërkimore për Harvardin dhe ngriti financimet federale.
Universiteti e paditi administratën Trump për këtë veprim, duke deklaruar se asnjë qeveri “nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë, apo cilat fusha studimi dhe kërkimi mund të ndjekin”.
Një gjykatë federale amerikane më pas i rrëzoi këto shkurtime miliarda dollarëshe, duke vendosur se qeveria kishte shkelur të drejtat e Harvardit për lirinë e shprehjes.
Shtëpia e Bardhë u zotua ta kundërshtonte menjëherë këtë “vendim të tmerrshëm”, duke deklaruar se Harvardi mbetet “i papërshtatshëm për grante në të ardhmen”. Përpara njoftimit të së hënës, qeveria kishte qenë në bisedime me Harvardin për një marrëveshje të mundshme për të zhbllokuar fondet federale.
“Tani po kërkojmë një miliard dollarë dëmshpërblim dhe nuk duam të kemi asnjë lidhje tjetër në të ardhmen me Universitetin e Harvardit”, shkroi Trump të hënën. Ai e akuzoi Harvardin për “paligjshmëri serioze dhe të rënda”, por nuk sqaroi se në ç’mënyrë beson se universiteti ka shkelur ligjin.
Trump ka kërcënuar më parë se do t’i heqë Harvardit statusin e përjashtimit nga taksat dhe se do të marrë kontrollin e patentave të universitetit që burojnë nga kërkime të financuara nga fondet federale.
Tre universitete të tjera të Ivy League, Columbia, Penn dhe Brown, kanë arritur marrëveshje me Trump për të ruajtur financimet që rrezikoheshin për shkak të pretendimeve të ngjashme të administratës, duke zgjedhur kompromisin në vend të përballjes në gjykatë.
Komente









